Uji Dea

Celebrimet mortore

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Nga Blerina Rogova Gaxha- Oscar Wilde kishte hedhur një hipotezë shumë interesante, e cila, historikisht mund të mos jetë e saktë, por që intelektualisht është e pëlqyeshme. “Shkrimtarët, në përgjithësi, rreken të duken të thellë.”

Këtë e dinë të gjithë ata që shkruajnë, dhe e synojnë poashtu. Nëse kjo përkthehet në komunikimin tonë të çarshisë, pra ‘zakonshëm’, i bie që (shkrimtari) ‘i ka disa dërrasa mangut’. Ndërsa e kundërta ishte me vetë Wilde, i cili siç thuhet, ishte njeri i thellë. Por përpiqej të dukej i cekët.

Poeti Ali Podrimja, që vdiq në mënyrë sa madhështore e misterioze, ishte njeri i vetes e njeri i poezisë. Ai thoshte se të qenit poet është një detyrë fisnike, dhe se një ditë do të flijohej edhe fizikisht për të, siç e ka flijuar gjithë jetën shpirtin për shkrimin.

Miqtë e tij të hershëm tregojnë se në fillimet e tij si shkrimtar, si poet, ai gjithnjë kishte vrapuar t’u tregojë dy-tre vargje të reja, dy-tri fjalë të reja, siç m’i kishte treguar edhe mua (të resë): “E kam në xhep një poezi të re, lexoje e kallzomë çka po mendon”… dhe kjo ka ndodhur shumë herë.

Më kujtohet kur e pata njohur më pati thënë, se “ju të rinjtë tash nuk po merreni më me atdheun e me kombin… ne e kemi pasur detyrë dhe zotim, por tash kanë ndërruar kohnat, kanë ndërruar shumë”, dhe menjëherë ma pati lënë në tryezë një poezi që kishte shkruar me titullin “Çizmja”… dhe nisi të më tregojë fill e për pe si e ka menduar e si e ka shkruar dhe t’i shpjegojë një e nga një metaforat e saj. Më parë ia kisha njohur vetëm veprën, gjithë opusin e krijimtarisë së tij, e kisha lexuar disa herë majën e këtyre veprave Lum Lumin, dhe kisha folur për të para profesorit e më pas edhe me nxënsëit e mi…

Kuptohet që Podrimja, në media, kryesisht ato të shkruara, në diskutime, në rrjetet sociale, sidomos në këto të fundit, ishte kryefjala e javës që shkoi. Të tronditur e të pikëlluar ndoshta, fjalën për të e morën edhe kolegë e miqë të tij të njohur, por edhe ‘miqë’ e adhurues të panjohur, pse jo edhe armiqë. Deri këtu nuk duket të ketë asgjë të keqe.

Por pothuaj numri më i madh i atyre që folën, që e kujtuan, e që e vajtuan, ishin njerëz që ndoshta kurrë s’e kanë njohur veprën e tij, e që ndoshta kurrë as që e kanë lexuar ndonjë poezi të tijën, pa folur këtu edhe për personin e personalitetin Podrimja.

Mobi Casa

Për arsye të shenjta dhe pse edhe vdekja është e shenjtë, është mëkat të abuzohet me emrin e poetit e me veprën, derisa lajmi për vdekjen ishte tronditës. Ato vargje të shkëputura të poetit, e shpesh edhe të shkruara ‘dallash’ duhej të tingëllonin si humanizëm poetik, por ç‘ne që humanizmi poetik nuk ekziston.

Siç nuk ekziston as në qindra vargjet e dhjetëra poezive, e nga qindra rreshtat që iu kushtuan poetit dhe u dërguan për botim, nga poetë e pseudo-poetë, nga eseistë e pseudo-eseistë, që shkruan në superlative për ‘poetin e tyre të adhuruar’. Duke e shndërruar fjalën poetike në një, për të mos i thënë ‘të tmerrshme e jonjerëzore, një shfrytëzim e abuzim me personin dhe fjalën, që për të kishte qenë e shenjtë, në një humanizëm alla facebook-ian. Celebrime të panevojshme mortore që më së paku kishin të bënin me poetin e veprën e shumë më tepër me ata që donin të hidheshin në gjiun e tij!

Podrimja e kishte një mision në jetë dhe në kohën së cilës ai i takoi. Me revoltë e me dhimje poeti e bëri atë që pak veta kanë mundur ta bëjnë. Podrimja i takoi kohës kur duhej të mateshe mirë para se të flisje, realitetit që të detyronte ta përdorje figurën në mënyrë që të mbijetoje…

Poezia e Ali Podrimjes ishte dhe mbetet poezi që dëshmon(te) realitetin me revoltën dhe me diskursin personal. Madje esencë e përhershme e shkrimit të poezisë së tij është – revolta. Poezia dhe revolta e saj jetojnë në figura, por në Lum Lumin, edhe jeta i bëhet figurë. Dhembja për Lumin thuhet me emocionet e rënda, me emocionet e zeza të babës që e humb djalin ngadalë, duke e parë me sy se si ai ikën pak nga pak.

Kjo bëri që poeti, duke shkruar për të birin, ta shenjojë identitetin e tij në letërsi me shkrimin e jetës, siç ndodhi edhe me autorë të shumtë të botës, si Ungareti, Carducci, Ernesto Sabato, David Grosman, Izabell Allende, që nxorrër vepra të mëdha për bijtë e vdekur, apo siç ndodhi edhe me autorët tanë, Çajupin, Hilë Mosin e Ndoc Gjetjen, por edhe siç e futi dhimbjen e tij në këngë Eric Clepton e të tjerë.

Pordimja nuk arriti ta sjellë të birin nga bota e të vdekurve, por e bëri të pavdekshëm në letërsi. Në fund të fundit, ajo nëpërmjet së cilës shkrimtarët e vazhdojnë jetën pas vdekjes, është vepra. Dhe vepra e Podrimjes vazhdon të jetojë… Do të ishte e bukur sikur ta përcillnim me këngën “Tears in heaven”.