Çeku që mësoi shqipen në tren
Sa kishte përfunduar gjimnazin dhe një pushim në bregdetin grek kishte qenë zgjidhja e duhur. Më së paku do t’i shkonte në mendje se gjatë atij pushimi do të ngacmohej nga një dëshirë e cila më vonë do t’i bëhej preokupim profesional.
Qejfi dhe profesioni rrallëherë bashkëjetojnë. Por Martin Surovčák ka një rrëfim të kundërt. E rrëfimet e kundërta me historitë e ngjashme janë interesante.
Teksa do të përjetonte magjinë e bregdetit dhe të trashëgimisë greke, Surovčák do të takohej edhe me disa punëtorë sezonalë në Greqi. Ata ishin shqiptarë. Fjalët “mirëdita”, “si jeni” apo “faleminderit” do të ishin të parat fjalë të gjuhës shqipe që ai do të mësonte t’i shqiptonte gjatë bisedave me shqiptarët me të cilët kishte krijuar edhe shoqëri.
Por Martin Surovčák (26) që këtë vit do të nisë studimet e doktoraturës, nuk do ta linte me këto fjalë raportin e tij me shqipen.“Më pëlqeu shumë shqipja, sepse më dukej gjuhë ekzotike”, thotë Surovčák, i cili viziton Prishtinën për të katërtën vit radhazi. Madje vitin e kaluar do të qëndronte për më shumë se tre muaj në kryeqytetin kosovar. Arsyeja e vizitave të tij në Prishtinë është Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, që këtë vit po mban edicionin e tij të XXXI.
Pasi kishte kryer pushimet dhe kishte ardhur koha që të nisin studimet, drejtimin e të cilave Surovčák e kishte të vendosur që të jetë Ballkanistika, përvoja greke me gjuhën shqipe e kishte shtyrë atë të thellohej edhe më. Studimet për ballkanistikë do të ishin arsye edhe më e madhe që shqipja të jetë prioritet i tij, shkruan koha ditore.
“Por kur filloja ta mësoja shqipen, në Çeki nuk ekzistonte asnjë kurs për këtë gjuhë. Madje as fjalor shqip-çekisht nuk ka pasur. Një i tillë është botuar në vitin 2008”, kujton Surovčák. Por kjo çekut – i cili të enjten në kuadër të Seminarit… ka referuar mbi frazeologjizmat e gjuhës shqipe në të folur- nuk do t’i sillte asnjë problem. Ai kishte një mënyrën të tijën se si ta mësonte gjuhën që për të ende mban epitetin “ekzotike”.
Martin Surovčák është nga një qytet verior në Çeki që në vitet e mëhershme ishte njohur edhe si hapësirë e vogël, por me shumë emigrantë.
“Ka pasur edhe shqiptarë, por nuk kanë qëndruar shumë”, kujton ai.
Vendlindja e tij, Djeqin, do të ishte bajagi larg nga qyteti Berno ku ishte universiteti në të cilin Surovčák studionte. Largësia ndërmjet vendlindjes së tij dhe qytetit universitar është afro 380 kilometra. Ai do të kalonte këtë rrugë me një transport jo fort të njohur në Ballkan, por shumë të praktikuar në vendin e tij. Martin Surovčák do të mësonte shqipen në tren.
“Është interesante për mua historia se si e mësoja gjuhën shqipe në tren. Nga Djeçin deri në Berno ku studioja kishte distancë të madhe, prandaj kisha kohë të mjaftueshme për të mësuar diçka, por shumicën e kohës kam mësuar shqip”, thotë Surovčák. Për të mësuar shqipen ai do të përdorte librat bazë të gjuhës, por edhe nëpërmjet greqishtes.