UBT

Çdo dy ditë, një vdekje e dhunshme

/ 2 minuta lexim

Në Kosovë, mesatarisht, çdo të dytën ditë, një person vritet me armë zjarri ose humb jetën në aksident trafiku. Në këto shifra, nuk përfshihen vdekjet që ndodhin në mënyrë të zakonshme. Këto janë të dhëna zyrtare të Policisë së Kosovës.

Për më tepër, rastet e vdekjeve në rrethana të tilla, nga viti 2011 me luhatje të vogla, ka mbetur i ngjashëm. Vdekjet janë shtuar herë në aksidente të komunikacionit e herë në vrasje. Në vitin 2011, sipas raportit zyrtar të Policisë së Kosovës, nga 130 aksidente me fatalitet, janë regjistruar 157 vdekje të personave.

Duke i shtuar këtij numri edhe 46 persona të vrarë, atëherë rezulton se për një vit jetën në rrethana të tilla kanë humbur 203 persona.

Fidanishtja

Tribuna ka kërkuar të dhëna zyrtare nga Policia e Kosovës, një pjesë e të cilave janë të përfshira edhe në raportin e punës për vitin 2012.

Kështu, gjatë vitit të kaluar kalendarik, nga 116 aksidente që kanë rezultuar me vdekje njerëzish, jetën kanë humbur 121 persona. Ndërkohë, për të njëjtën periudhë kohore, janë regjistruar edhe 55 vrasje, duke e çuar në tërësi numrin e vdekjeve në rrethana të tilla në 176 veta…(Tribuna).