Uji Dea

CDK inicion debatin shqiptaro-zviceran mbi imazhin e shqiptarëve

/ 5 minuta lexim

Në Wolhusen të Lucernit, në 4 punëtori të organizuara nga CDK, janë rrahur një numër temash lidhur me imazhin e shqiptarëve në Zvicër

Cila është lidhja në mes të integrimit të shqiptarëve në Zvicër dhe Gjergj Fishtës? Vështirë të imagjinohet një lidhje e tillë.

Megjithatë, në një aktivitet të organizuar në Wolhausen të Lucernit nga CDK, shoqatë e demokristianëve kosovarë në kuadër të partisë CVP, në mesin e temave komplekse që lidhen me shqiptarët në Zvicër janë gjetur edhe këto dyja.

Pos temës “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, një temë me titullin “Kosovarët në Zvicër, një rast problematik?” është rrahur në njërin podium të këtij aktiviteti.

Ndërsa “Historia “e komplikuar” e shqiptarëve”, ishte tema e radhës e njërës nga katër punëtoritë (workshops) e këtij organizimi interesant.

Një numër i madh të interesuarish kishin ardhur për të marrë pjesë në këtë aktivitet të zhvilluar të shtunën që shkoi. Punëtoritë, përveç njërës, zhvilloheshin në gjuhën gjermane.

Llesh Duhanaj, bashkëkryetar i CDK-së në fjalën e hyrjes ka bërë një prezantim të CDK-së, si një platformë integrimi në kuadrin e CVP-së, partisë tradicionalisht udhëheqëse në kantonin e Lucernit. Ai ka theksuar se CDK-ja ka deri më tash rreth 300 anëtarë dhe se ajo u qaset problemeve specifike që lidhen me shqiptarët dhe zviceranët gjegjësisht shërben si një urë lidhëse në mes të dy komuniteteve.

Edhe bashkëkryetari tjetër, Ben Desku ka folur për arsyet që kanë sjellë në themelimin e CDK-së, që në radhë të parë është dëshira për të pasur një komunikim më të avancuar në mes të shqiptarëve dhe zviceranëve.

Si ideator i këtij grupimi, ish kryetari i CVP-së së Luzernit Martin Schwelger ka bërë punën e monitioruesit në këtë aktivitet, më të madhin deri më tani të organizuar nga CDK.

Punëtoria e parë, ajo për jetën dhe veprën e Gjergj Fishtës u udhëhoq nga Dr. Don Shan Zefi, kancelar i Ipeshkvisë së Kosovës dhe studiuesi historisë. Don Zefi, duke iu qasur veprës së Fishtës, ka vënë theksin në kontributin e madh të klerit katolik shqiptar në orientimin e shoqërisë shqiptare drejt vlerave të perëndimit.

Në mbarështrimin që i ka bërë jetës dhe veprës së Gjergj Fishtës, Zefi ka hedhur dritë sidomos mbi tiparet e Fishtës atdhetar dhe bartës i zhvillimeve unifikuese e iluminuese në shoqërinë shqiptare të kohës. Qenia e tij në krye të komisionit të Kongresit të Manastirit që nxori alfabetin shqip me bazë latine, nuk ka qenë rastësi, ka thënë ligjëruesi nga Prishtina.

Mobi Casa

Dr. Zefi ka folur në superlativ për Zvicrën, për mikpritjen që ajo u ka ofruar shqiptarëve në kohët më të vështira dhe sidomos për përkrahjen e dhënë pavarësisë së Kosovës. “Nisur nga këto, ne si shqiptarë kemi shumë arsye që të jemi mirënjohës ndaj Zvicrës dhe zviceranëve, t`i duam ata. Mbetet të shihet nëse edhe ata kanë këtë mendim për ne!” ka thënë dr. Zefi, duke aluduar në imazhin jo të mirë që një numër i vogël pjesëtarësh problematikë, ia ka dhënë komunitetit tonë këtu.

Në punëtorinë me temën “Kur janë emigrantët të integruar? A duhet ata të mbajnë kulturën e tyre apo të asimilohen?” ka ligjëruar specialisti i komunikimit ndërkulturor Dr. Christian Jäggi.

Ai ka sqaruar për të pranishmit kuptimin doktrinar dhe atë praktik të integrimit, dallimin në mes të integrimit dhe asimilimit etj.

Jäggi ka theksuar se integrimi gjithmonë është proces me dy kahe.

“Integrimi nuk është detyrim vetëm i të huajve por edhe i shoqërisë pritëse. Kjo e dyta duhet të ofrojë kushtet që të huajt të integrohen natyrshëm në shoqërinë e re”, ka thënë veç tjerash dr. Jäggi.

Në punëtorinë me temën “Këshilla – pengesat që duhet të tejkalohen nga emigrantët”, lidhur me përvojat e tyre, të mira e të këqija, të integrimit, kanë folur disa pjesëmarrës të profileve të ndryshme.

Panelsitë ishin: Artisti Nikë Përgjokaj, studentja, Arta Krasniqi, bashkëkryetari i CDK-së Ben Desku dhe një përfaqësues i policisë kantonale të Lucernit. Ata kanë shtjelluar, secili nga perspektiva e tyre problemin e integrimit dhe specifikat e të qenit i huaj në Zvicër. Sipas panelistëve shqiptarë, qasja ndaj tyre si njerëz me prejardhje të huaj pasqyrohet në nivele të ndryshme, në varësi nga rrethi ku janë gjetur dhe nga rrethanat.

Punëtorinë “Historia e Kosovës, një çështje e komplikuar”, e ka udhëhequr juristi Rizë Demaj. Ai ka folur për historinë e Kosovës dhe të shqiptarëve nga fillimet deri më sot. Kjo histori e bujshme mbase ka kushtëzuar edhe të tashmen ende jo mirë të konsoliduar të shoqërive shqiptare kudo që ndodhen.

Për fund, si një rrumbullakësim i aktivitetit shumëplanësh të organizuar nga CDK në Wolhusen të Lucernit mund të shërbejë konstatimi në vijim i Llesh Duhanajt. Ai, pasi ka përshëndetur vlerësimet pozitive të Dr. Shan Zefit në ligjëratën e tij, duke u lidhur edhe me diskursin e Fishtës, që siç dihet ka qenë mjaft kritik, është angazhuar për kultivim të kritikës edhe në debatin që duhet të zhvillohet në komunitetin tonë në Zvicër.

“Vetëm kritika e mirëfilltë dhe konstruktive i çon proceset përpara”, ka thënë Duhanaj.(albinfo.ch)