Caritasi shpërndan 10 moto – kultivatorë për fermerët e Gjilanit

Gjilan – Caritasi i Luksemburgut me seli në Ferizaj në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit ka bërë sot shpërndarjen 10 moto-kultivatorëve për banorët e fshatrave: Gadish, Kishnapole, Sllakovc i Ulët dhe Sllakovc i Epërm.
Në këtë projekt Komuna e Gjilanit ka participuar me 30 për qind, përfituesit me 10 për qind, ndërsa pjesën tjetër e ka mbuluar Caritasi i Luksemburgut.
Në shpërndarjen e këtyre moto-kultivatorëve ka marrë pjesë edhe drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë, Ramiz Ramadani, i cili e ka falënderuar organizatën e sipërpërmendur për ndihmesën, ndërsa është zotuar se Komuna e Gjilanit e ka në prioritet bashkëpunimin me donatorët për projektet e përbashkëta.
“Në emër të kryetarit Haziri dhe në emrin tim e falënderoj Caritasin e Luksemburgut për këtë projekt. Ky është një projekt i përbashkët në mes Caritasit të Luksemburgut, Komunës së Gjilanit dhe fermerëve. Është prioritet i yni bashkëpunimi në projekte të përbashkëta mes donatorët. Caritasi Luksemburgut ka ndihmuar në vitin 2013 me projekte të vogla në bletari, pylltari e në projekte të tjera, por ky projekt është më i veçantë ngase vlera është më e lartë dhe konsiderojmë se me dhënien e 10 moto-kultivatorëve për këta fermerë, i kemi siguruar 10 vende të punës. Prandaj, intenca jonë është që të orientohemi në këto projekte të cilat rigjenerojnë vende të punës”, ka thënë Ramadani.
Fjalë falënderuese për Caritasin e Luksemburgut pati edhe koordinatori i këtij projekti, Ramadan Mehmeti, i cili u shpreh i lumtur për përfitimin e banorëve të kësaj ane.
Dhjetë fermerët të cilët morën moto-kultivatorët kanë falënderuar Caritasin e Luksemburgut për këtë donacion dhe Komunën e Gjilanit, duke thënë se tashmë do ta kenë më të lehtë t’i punojnë tokat e tyre./rajonipress/