Cana paralajmëron huliganët: Do t’i grushtoj sërish për t’i mbrojtur shokët

Lorik Cana, kapiteni i Kombëtares shqiptare, është i gatshëm t’i mbroj sërish shokët e skuadrës nga huliganët.
Lorik Cana nuk është penduar për asnjë nga veprimet e bëra në stadiumin e Partizanit në Beogradit. Ai iu vërsul tifozit serb që qëlloi me karrige plastike Bekim Balajn dhe e goditi disa herë me grusht. Thotë se do ta bënte sërish, sa herë që dikush do të sulmonte shokët e tij të skuadrës.
“Do bëja të njëjtën gjë. Jemi ekip. Kur njëri është në vështirësi shkon tjetri e ndihmon. Kur sulmon shokun e skuadrës më sulmon dhe mua, sidomos dikush që nuk ka punë në fushë”, thotë Cana, në një rrëfim për gazetaren Mira Kazhani të gazetës Dita.
Kapiteni i Kombëtares flet për momentet e dhunës dhe çfarë dokumenti ka firmosur në dhomat e zhveshjes.
“Një dokument nga unë si kapiten, një raportim të gjendjes sonë, që nuk e lejonte rinisjen e lojës. Nuk shkruajmë “nuk kthehemi në fushë”. Askush nuk na kërkoi një gjë të tillë. Edhe po ta kishin bërë, në atë moment nuk i kisha lënë çunat të dilnin në fushë”, tregon ai
“Futbolli më nuk kishte vlerë aty. Kjo është gjëja më e çuditshme e vendimit nga UEFA. Kur ti je dhunuar nga tifozët, futbolli ka marrë fund, nuk rifillon më loja sikur një të futet dhe të godasë një lojtar, jo më mbi 50 vetë me gurë. Kjo është e çuditshme si mund të kërkosh rikthimin në fushë…”, vazhdon Cana.
Cana e konsideron padrejtësi vendimin e Komisionit të Disiplinës së UEFA -s që i dha fitoren Serbisë, por ka shpresë në gjykatën sportive, pasi thotë se Shqipëria ka argumente të fortë.
Ai akuzon shtetin serb për dezinformacion. Ndërsa tregon se edhe në tunel lojtarët e kombëtares janë qëlluar me gurë e sende të tjera të forta. Në tunelin e dhomave të zhveshjes ai ka dëmtuar edhe gjurin.