Mobi Casa

Cana heroi i Marseilles

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Jose Anigo, ish-drejtori sportiv i Marseilles, ka treguar se sa i rëndësishëm ishte transferimi i Lorik Canës nga PSG në vitin 2005. Lorik Cana, mesfushori i Nantesit, do të luajë të dielën ndaj ish skuadrës, Marseilles, aty ku u bë i famshëm si futbollistë

Ish-drejtori sportiv i marsejezëve, Jose Anigo, ka shpjeguar për mediat franceze se sa i rëndësishëm ishte transferimi i Canës nga PSG në vitin 2005.

Sipas Anigos, futbollisti shqiptar ishte padyshim suksesi më i madh i këtij klubi për sa u përkiste lojtarëve që kishin arritur t’u vidhnin rivalëve të përjetshëm të PSG-së.

“Në vitin 2005, bashkë me presidentin Diuf shkuam ta shihnim pasi kërkonim një mesfushor me tipare mbrojtëse dhe shfrytëzuam mundësinë që na u shfaq. Vuajtëm pak, pasi na u desh t’i hapnim luftë PSG-së, por në fund ia dolëm mbanë. Kemi marrë disa herë lojtarë nga PSG, por Loriku është ndoshta suksesi ynë më i madh:, ka deklaruar ai.

“Ai mori shumë shpejt mbështetjen e publikut marsejez pasi ishte një luftëtar, një lojtar me karakter. Tregoi shumë shpejt dëshirën e tij për të luajtur me Olimpikun e Marsejës dhe u bë shumë shpejt emri më i dashur në stadiumin “Velodrom”. Nëse sot do të bësh një sondazh mes tifozëve nëse duhet të kthehet apo jo në klub, askush nuk do të thotë jo! Ai ka lënë një gjurmë të rëndësishme në këtë klub dhe nuk ka krijuar kurrë probleme”, shpjegoi Anigo,.

Eco Higjiena

Sipas ish-drejtuesit të larguar nga Marseille në vitin 2014, Cana ishte një futbollist i veçantë, me një personalitet të rrallë dhe një tip shumë i lidhur me familjen dhe origjinën e tij.

“Para se të ishte një futbollist, ai ishte një njeri që interesohej për gjithçka. Mund të flisje për çdo temë me të. Loriku nuk është futbollisti mendjelehtë që jemi mësuar të shohim shpesh. Ai është ndryshe. Ai ka një personalitet të madh dhe dallohej brenda dhomave të zhveshjeve”.

“A kisha një marrëdhënie të veçantë me të? Sigurisht, me Lorikun dhe prindërit e tij. Ai jeton brenda një konteksti shumë të fortë dhe të bashkuar familjar. Meqë edhe ne, te klubi i Marsejës, punonim në të njëjtin kontekst, u përshtatëm shumë shpejt. Loriku do të mbetet gjithmonë në zemrën time”, tha 54-vjeçari.

Anigo është i bindur se Canën e pret një karrierë e ndritur edhe pasi të largohet nga futbolli i luajtur. Sipas tij, lidhja e ngushtë që ai ka me Shqipërinë, mund ta kthejë në një politikan shumë të aftë në të ardhmen.

“Sigurisht që ishte gjithmonë i lidhur me Shqipërinë. Kur ai largohej për të luajtur me kombëtaren apo kur kishte çështje që kishin lidhje me Shqipërinë, ai nuk ishte më vetëm një futbollist. Jam i bindur se herët a vonë, Loriku do të integrohet në një strukturë politike në vendin e tij”, deklaroi Anigo.