Cana e sfidon Milanin
Lorik Cana, ish-futbollist i Paris Saint Germainit, Olympique Marseillet, Sunderlandit dhe Galatasarayt, e ka sfiduar Milanin, kundërshtarin e radhës të Lazios.
Madje, 31-vjeçari i konsideron “Rossonerit” si konkurrentët kryesorë për një vend që çon në Evropë. Ai ishte ndër më të mirët në ndeshjen me Napolin.
“Jam i zhgënjyer me humbjen, sepse kemi dhënë gjithçka dhe nuk e meritonim të humbnim. Mirëpo, faza e parë e sezonit ishte pozitive, jemi në pozitat e duhura për objektivat tanë, duhet të vazhdojmë të luajmë kështu”, vijoi ai.
“Milani? Është një konkurrent direkt. Në ndeshjen e parë na kanë mposhtur, por këtë herë do të provojmë të fitojmë”, përfundoi Cana. Aktualisht, Lazio gjendet në pozitën e pestë në tabelë me 31 pikë të grumbulluara.


