Cana dëshiron të luaj në Bundesligë

Lorik Cana është përfolur për një largim të mundshëm nga Lacio në fund të këtij sezoni. Gjithsesi, ai ka deklaruar se dëshiron të qëndrojë edhe një vit në Itali.
“Jam ambientuar shumë mirë në skuadër dhe kemi pasur një ecuri mjaft pozitive. Kjo më ka bindur që të qëndroj edhe një vit tjetër te Lacio. Më pas kam dëshirë të luaj në Gjermani, në Bundesligë”, ka thënë mbrojtësi shqiptar për panoraman.
Në fakt, për të janë interesuar disa klube gjermane, mes të cilëve edhe Hamburgu, i cili mendohet se ka bërë një ofertë konkrete për lojtarin.
Lojtari tjetër i Kombëtares është përmendur për një transferim te Lacio, gjithsesi Cana nuk pranon të jetë në dijeni të ndonjë tratative zyrtare. “Jam informuar nëpërmjet gazetave sportive, pasi drejtuesit e klubit nuk më kanë thënë asgjë për ndonjë tratativë zyrtare. Nuk kam folur as me Mërgimin për këtë çështje. Ajo që mund të them unë, është se Lacio kërkon futbollistë punëtorë dhe cilësorë. Për më tepër, konkurrenca është mjaft e fortë, jo vetëm te Lazio, por në çdo klub të Serisë A”, shtoi kapiteni kuqezi, duke lënë gjithçka të hapur për mundësinë e kalimit të Mavrajt në kryeqytetin italian.