Cameron në Prishtinë: Jemi këtu për t’ju përkrahur, ndihmuar dhe promovuar
Ministri i Punëve të Jashtme i Britanisë së Madhe, David Cameron në një konferencë për media tha se ndodhet në Prishtinë për të mbështetur, promovuar dhe ndihmuar shtetin e Kosovës në të gjitha mënyrat që munden.
Cameron të mërkurën mbrëma ka arritur në Prishtinë, ndërsa ka takuar kryeministrin Albin Kurti.
Ai sot në orët e mëngjesit është takuar me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Cameron në një konferencë të përbashkët tha se ndodhet këtu për të shprehur mbështetjen, ndihmën dhe promovimin nga Britania e Madhe për shtetin e Kosovës, raporton Telegrafi.
“Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë dhe rëndësinë e kontributin që mund të japim në këtë drejtim, duke pasur parasysh edhe rolin e madh që kemi në kuadër të KFOR-it….”, tha ai.
“Ne jemi mbështetës të fuqishëm të pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës….”, tha ndër të tjera, ministri britanik.
Sipas tij, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe Britania e Madhe ka investuar shumë në këtë drejtim.
Cameron bëri të ditur se kanë folur edhe për trajnimin e disa pjesëtarëve të FSK-së në Britani, çështjet ekonomike, luftimin e korrupsionit, etj. /Telegrafi/