Cakolli: LVV-ja humbi terren në 38 komuna, LDK-ja dhe AAK-ja shënuan rritje, PDK-ja mbetet stabile
Eugen Cakolli nga KDI ka publikuar një analizë krahasuese të rezultateve preliminare të zgjedhjeve të fundit me ato të 28 dhjetorit 2025, duke evidentuar ndryshime të rëndësishme në mbështetjen elektorale të partive politike në nivel komunal.
Sipas tij, përveç rënies së numrit të përgjithshëm të votave për shkak të pjesëmarrjes më të ulët të qytetarëve në procesin zgjedhor, të dhënat tregojnë edhe lëvizje të dukshme në përqindjet e votave që kanë marrë subjektet politike në komuna të ndryshme.
Në analizën e tij, Cakolli thekson se Lëvizja Vetëvendosje ka regjistruar rënie të përqindjes së votave në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Edhe pse vazhdon të jetë forca e parë politike në 31 komuna, partia ka humbur mbështetje në secilën prej tyre dhe nuk mban më pozitën e parë në tri komuna.
Sipas të dhënave të prezantuara, rëniet më të mëdha të LVV-së janë evidentuar në Suharekë, Mamushë, Junik dhe Rahovec.
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shënuar rritje të përqindjes së votave në 35 komuna. Rritjet më të mëdha, sipas analizës, janë regjistruar në Istog, Malishevë, Junik, Suharekë dhe Rahovec.
Sa i përket Partia Demokratike e Kosovës, Cakolli vlerëson se kjo parti ka ruajtur një stabilitet më të madh krahasuar me rivalët politikë. Sipas tij, ndryshimet në shumicën e komunave kanë qenë relativisht të vogla, ndërsa rritja më e theksuar është regjistruar në Malishevë.
Nga ana tjetër, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka rritur përqindjen e votave në 30 komuna, megjithëse në pjesën më të madhe të tyre rritja ka qenë modeste. Komunat ku kjo parti ka shënuar avancimin më të madh janë Suharekë, Deçan, Rahovec, Junik dhe Gjakovë.


