Fidanishtja

Buxhovi: Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më i rëndësishëm sesa njohja reciproke

/ 3 minuta lexim

Historiani dhe publicisti Jusuf Buxhovi beson se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është më i rëndësishëm sesa njohja e ndërsjellë, për të cilën insiston kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Ai shton se nuk ka asgjë kundër formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për sa ai s’do të ketë kompetenca ekzekutive, transmeton Gazeta Express.

Në një deklaratë për portalin serb në Kosovë, “Kosovo Online, Buxhovi tha se bisedimet në Bruksel kanë vazhduar që nga viti 2011, por ai nuk ka parë vullnet politik të të dyja palëve për ta zgjidhur problemin. Sipas tij, gjëja më e rëndësishme është që palët ta arrijnë normalizimin e marrëdhënieve, që sipas tij do të thotë që t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura “pa qëllime të mëdha e ultimatume”.

“Kosova dhe kushdo që jeton këtu duhet ta ketë një perspektivë, dhe ne nuk e kemi atë, as këtu, as në Serbi, as në rajon. Unë nuk jam në favor të këtyre frazave politike për të krijuar kushte për njohje automatike, por unë jam një mbështetës i normalizimit të marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës. Ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare dhe interesat e tyre i japin një dimension tjetër kësaj çështjeje”, tha Buxhovi.

Ai theksoi se Kosova e pavarur është realitet që të gjithë duhet ta pranojnë, veçanërisht Serbia, e cila, siç thotë ai, është një nga vendet kryesore në rajon. Sidoqoftë, ai vëren se Serbia nuk duhet të politizojë gjithçka që ka të bëjë me serbët në Kosovë.

Fidanishtja

“Njerëzit e zakonshëm nuk kanë asnjë përfitim nga politika, ata vetëm kanë dëm, dhe ne kemi nevojë për bashkëpunim kulturor, veçanërisht ekonomik dhe të gjitha format e tjera të bashkëpunimit”, tha Buxhovi, duke shtuar se të gjitha vendet në rajon duhet t’i pranojnë vlerat e Bashkimit Evropian, në mënyrë që një ditë ato vetë të bëhen vende anëtare.

Ai gjithashtu tregoi se problemet shtesë kanë dalë së fundmi kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, sepse “Beogradi zyrtar po përpiqet ta manipulojë Kushtetutën e Kosovës në lidhje me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”. Ai shpjegoi se Kushtetuta e Kosovës, e cila ishte shkruar sipas planit të Ahtisaarit, e përcakton shumë qartë statutin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Buxhovi tregoi se Kosova duhet të kishte insistuar në formimin e një Asociacioni në përputhje me Kushtetutën e Kosovës që nga fillimi, por shton se ende nuk është vonë për ta zgjidhur këtë çështje.

“Vetëm koncepti i Kushtetutës së Kosovës merret në konsideratë, të jetë një asociacion që nuk do të ketë kompetenca ekzekutive, por një asociacion që do t;i ndihmonte serbët në Kosovë të ishin pjesë e institucioneve dhe jetës së Kosovës”, përfundoi Buxhovi. /GazetaExpress/