Buxheti për projekte kulturore zbritet nga 200 mijë në 76 mijë euro
Ministria e Kulturës e ka shkelur fort premtimin e dhënë dy muaj më parë. Nga 200 mijë euro sa kishte deklaruar se do të ndaheshin për projektet kulturore me konkursin e dytë, ka ndarë hiç më shumë se një të tretën e kësaj shume.
Konkursi ishte hapur në fillim të nëntorit, dhe tek të enjten janë bërë të ditur fituesit, pas insistimit njëjavor të gazetës. Sipas listës finale, vetëm 76 mijë e 680 euro është shuma me të cilën janë përkrahur projektet e organizatave të pavarura kulturore, shkruan sot Koha Ditore.
Në mars shumë organizimeve u ishte përgjysmuar buxheti në raport me vitin e kaluar. Asokohe kjo kishte ndodhur me arsyetimin se ky “ishte vendim i jurisë”.
Edhe tash me të njëjtin arsyetim janë ndarë vetëm 76 mijë euro. Për kategorinë e promovimit kulturor janë ndarë 5 mijë e 700 euro, për atë të industrisë kreative 6 mijë, për takime letrare 3 mijë e 700, sa janë ndarë edhe për bibliotekat.
Diplomacia kulturore është përkrahur me 14 mijë e 500 euro përderisa projektet për diversitet kulturor me 5 mijë e 200 euro.
Në fushën e teatrit janë përkrahur projekte në vlerë prej 16 mijë e 880 eurosh, në atë të arteve pamore 7 mijë e 800 dhe për artet muzikore 13 mijë e 400. Gjithsej janë përkrahur 48 projekte të pavarura kulturore. Kërkesat kishin qenë mbi 1 milion euro.


