Fundamenti

Buxheti nuk premton rritje pagash

/ 3 minuta lexim
ARKATANA

Rritja e pagave të premtuara nga ekzekutivi i vendit është thirrje për votë, për shkak se gjendja e përgjithshme ekonomike dhe projekt buxheti për vitin e ardhshëm nuk mundëson realizimin e këtij premtimi, thonë përfaqësues të punëtorëve të administratës publike dhe ekspertë për çështje ekonomike.

Ndue Kalaja, kryetar i Sindikatës së Administratës Publike, që funksionon në kuadër të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, nuk beson se pagat mund të rriten edhe pse thotë ai, punonjësit kanë nevojë për rritje të rrogave.

Ai madje thekson se kjo sindikatë do të jetë monitoruese e realizimit të këtij premtimi.

“Këto premtime janë premtime elektorale, madje kryeministri po mundohet të shfrytëzojë këtë edhe për zgjedhjet e përgjithshme, që thuhet se do të mbahen vitin e ardhshëm. Për mua kjo është vetëm një premtim elektoral dhe asgjë tjetër“. vlerëson Kalaja

Edhe eksperti i ekonomisë Ismail Kastrati, konsideron se rritja e pagave do të mbetet vetëm në kuadër të premtimeve elektorale, pasi sipas tij, kategoria që më se shumti ka nevojë për rritje të mjeteve financiare janë pensionistët.

Për këtë kategori qeveria nuk ka premtuar rritje të pensioneve, pasi sipas tij, nuk sjellin numër të madh të votave.

Ismaili shpreh dyshimin, pasi gjatë kësaj fushate elektorale, thotë ai, premtimet kanë qenë shumë të mëdha, që sipas tij, Kosova të ketë buxhetin e ndonjë shteti të zhvilluar nuk mund t’i realizojë.

Eco Higjiena

“Konkretisht është premtim elektoral kur në këtë kohë kryeministri dhe qeveria nuk i premton rritje pensionistëve të cilët janë në gjendje të rëndë sociale. Për shkak se pensionistët nuk janë trup i organizuar, ndërkaq arsimi është i organizuar dhe i intereson që të ketë marrëdhënie korrekte apo sistem implementues për shkak të votave”, tha Kastrati për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës edhe të enjten kur miratoi projekt buxhetin për vitin 2014, premtoi rritje të pagave, por pa saktësuar se sa për qind do të jetë kjo rritje.

Më këtë rast Ministri i Financave, Besim Beqaj, ka thënë se projekt buxheti i vitit të ardhshëm mundëson realizmin e këtij premtimi.

Ndërkaq, profesori i Fakultetit Ekonomik, Muhamet Sadiku, edhe pse e konsideron të vështirë procesin e rritjeve të pagave, ai thotë se premtimet duhet të përmbushen.

Në të kundërtën, Sadiku thotë se mund të shkaktohen trazira sociale.

“Unë mendoj se nuk është mirë që në fushata elektorale të luhet më ndenja sociale të popullatës, nuk është mirë që në fushata të promovohen premtime që lidhen me funksionimin e shpenzimeve publike. Sidomos premtime pas të cilave nuk ka tërheqje parapa. Prandaj, në një situatë kur këto premtime janë dhënë gjatë fushatës, unë nuk di se kush mund të del përball kërkesave të popullatës për rritjen e pagave”, thotë Sadiku.

Sidoqoftë, të enjten Qeveria e Kosovës ka miratuar projekt buxhetin për vitin 2014, që arrin në 1 miliard e 590 milionë euro apo rreth katër milionë euro më shumë se nga buxheti i këtij viti./express/