Buxheti Komunal i Vitisë do të jetë mbi 9 milion euro

Gjilan – Në mbledhjen e sotme të këshillit të Drejtorëve janë shqyrtuar Draft Buxheti Komunal për 2014-2016 si dhe propozim vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e rregullores komunale për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba si dhe propozim rregullorja për tatimin në pronën e paluajtshme.
Me theks të veçantë është biseduar për draft buxhetin 2014-2016 ku Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Islam Jashari prezantoi këtë draft buxhet duke theksuar se buxheti për vitin në vijim do të shënoj rritje.“Komuna e Vitisë për vitin 2014 ka një buxhet prej 9.019.345€ , duke e krahasuar atë me buxhetin e këtij viti ai është më i lartë dhe atë për 738 mijë euro. Kjo rritje e buxhetit ka ardhur për arsyeje se Komisioni ndërministror i cili edhe përcakton kufijtë buxhetor ka marrë për bazë regjistrimin e fundit të popullsisë “ u shpreh Jashari.
Gjithashtu ai prezantoi edhe projektet investive për vitin 2014 duke theksuar se shumica e investimeve kapitale në lokalitetet e komunës së Vitisë të cilat janë në këtë listë janë marrë nga kërkesat të cilat qytetarët i kanë adresuar në diskutimet publike për planifikimin e buxhetit të cilat janë mbajtur gjatë këtij viti me banorët e Komunës së Vitisë.
Ndërsa disa nga Drejtorët kërkuan që të këtë më shumë investime në qytetin e Vitisë e sidomos kërkuan që të shikohen të gjitha mundësitë që të ndërrohen gypat e ujësjellësit të cilat dyshohen se janë kancerogjene pasi që janë nga asbest betoni.
Pasi që ky draft buxhet është diskutuar nga anëtarët e Këshillit të Drejtorëve ajo se bashku me pikat e tjera të rendit të ditës janë aprovuar që të shkojnë për procedim të mëtutjeshëm. Në mungesë të kryetarit të komunës takimi i sotëm është kryesuar nga zëvendësi i tij Abdyl Bajrami./rajonipress/