Eko Higjiena

Buxheti i kujt?

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Vjosa Osmani Sadriu – Milionat e buxhetit të Republikës së Kosovës, që janë para të taksapaguesve, po shpërndahen çdo ditë nëpërmjet premtimeve të Kryeministrit Thaçi në tubime të PDK-së. Qytete anekënd Kosovës po dëgjojnë sërish premtime që i patën dëgjuar edhe në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, ku secilës komunë i premtohej afër apo edhe mbi 100 milionë euro nga buxheti i Kosovës si shpërblim nëse këta qytetarë votojnë për Partinë Demokratike të Kosovës. Ato premtime nuk u realizuan, njëjtë siç nuk do të realizohen edhe premtimet milionëshe të sivjetme, por Thaçi po vazhdon të jetë shembulli më i keq i shkeljes së ligjeve dhe kodeve që rregullojnë fushën e zgjedhjeve në Kosovë.

Se premtimet milionëshe të kryeministrit në ikje nuk janë në përputhje me kornizën ligjore tregon fakti se ato nuk janë të bazuara në asnjë planifikim tjetër buxhetor dhe as në pasqyrat e KASH-it (Korniza Afatmesme e Shpenzimeve) e cila reflekton planifikimin e buxhetit të Kosovës për tre vitet e ardhshme, e ku nuk është planifikuar thuajse asnjë prej premtimeve marramendëse të këtij kryeministri. Premtimet bien ndeshë edhe me Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike i cili nuk i lejon kryeministrit të vendit që të harxhojë buxhetin e qytetarëve sipas tekeve të tij ose partisë që ai udhëheqë.

Prandaj, premtimet e tilla jo vetëm që janë joligjore dhe pa kurrfarë baze por janë edhe tallje me votuesit dhe qytetarët e Kosovës. Përmes kësaj taktike denigruese të provuar edhe në zgjedhjet e kaluara, kryeministri Thaçi tenton që ta ‘bastardizojë’ debatin duke premtuar qindra miliona euro investime në vend se debati të jetë fer dhe profesional dhe të bazohet në programet e partive dhe pritjet e qytetarëve.

Ky tentim i devijimit të debatit më së shumti i shkon për shtati partisë në pushtet qëllim primar i së cilës është dekurajimi i votuesve për të marrë pjesë sa më masovikisht në zgjedhjet e 3 nëntorit. Me këtë ata po ashtu tentojnë daljen simbolike në zgjedhje – kryesisht të militantëve të saj – dhe përmes saj dhe keqpërdorimeve të atypëratyshme të legjitimojë pushtetin. Të mos harrojmë se shtyrja e zgjedhjeve për datën 3 nëntor (kohën kur dita është e shkurtër) ishte pikërisht insistim i kësaj partie me justifikimin e pjesëmarrjes së votuesve nga veriu i Kosovës. Kësaj logjike të tjetërsimit të debatit dhe dekurajimit të votuesve i kanë kontribuar mjaft edhe partitë e tjera; në njërën anë AKR – si parti në shuarje – e cila njëjtë sikur edhe AAK të etur për pushtet e mbijetesë nuk kanë qenë në gjendje që të artikulojnë një qëndrim dhe debat të hapur me qytetarët dhe për qytetarët, dhe në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje e cila për shumë vite ka bërë thirrje për mospjesëmarrje dhe bojkotim të zgjedhjeve nga votuesit përmes sloganeve të saj populliste dhe plotësisht antidemokratike “Unë votoj, ti voton…Ata përfitojnë” ndërsa tani bën thirrje për dalje masovike në zgjedhje duke ndërruar kështu rrënjësisht kursin e saj. Se politikat e kësaj Lëvizje janë ditore dhe jokonsistente tregojnë edhe akuzat e pabaza dhe devijimet e qëllimshme të debatit për projekte të caktuara në Prishtinë dhe gjetiu.

Por t’i kthehemi edhe një herë premtimeve boshe të kryeministrit. PDK vazhdimisht mburret me ndryshimet e fundit në kodin penal, ku keqpërdorimet e votës apo tentimet për të dhënë shpërblime financiare në shkëmbim të votës konsiderohen vepër penale, por në anën tjetër vazhdimisht vepron në kundërshtim me këto rregulla. Kryeministri po ashtu ka bërë shkelje të vazhdueshme të Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme (dispozitat e të cilit, sa i përket rolit të zyrtarëve publikë, vlejnë edhe për zgjedhjet lokale), i cili parasheh se premtimi i ndonjë shpërblimi financiar me qëllim të përfitimit të mbështetjes së votuesve është i ndaluar rreptësishtë.

UBT

Ky ligj po ashtu parasheh se personi që mban pozitë publike, i zgjedhur apo i caktuar, nuk mund të përdorë zyrën e tij ose ndonjë nga pasuritë e saj me qëllim të përfitimit të votave. Asnjë nga këto burimet publike, pra përfshirë edhe buxhetin, nuk mund të shfrytëzohen ose të futen në mbështetje të ndonjë subjekti politik në zgjedhje.

Pikërisht për këto shkelje, LDK ka bërë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në mënyrë që të vendoset një rregull duke gjykuar këto sjellje të z. Thaçi si shkelje, të cilat po krijojnë precedent të rrezikshëm të abuzimin të pasurisë publike në shkëmbim të mbështetjes për një subjekt politik. Buxheti nuk është i Thaçit apo i PDK-së. Ato nuk janë paratë e tij personale që ai t’i ndajë ato si dhe ku dëshiron.

Buxheti është i taksapaguesve, dhe vendimi për ndarje të tij bëhet vetëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Thaçi nuk do të mund të vendosë për buxhetin e ardhshëm, sepse as nuk do të jetë në krye të Qeverisë, e as nuk do ta ketë shumicën në Kuvend. Qytetarët tashmë e kanë kuptuar se premtimet e tij janë shenjë e panikut, sepse edhe ai e ka kuptuar humbjen e thellë që po e pret.

(Autorja është deputete në Kuvendin Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)