Uji Dea

Bushati: Ndërkombëtarëve i është dhënë Besa, nuk ndryshojnë kufijtë Kosovë-Shqipëri

/ 8 minuta lexim
RCCOLA

“Aspirata e shqiptarëve është për një anëtarësim në Bashkimin Evropian, për një anëtarësim në NATO dhe e shohim BE-në si një bashkim të popujve dhe të kombeve”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Bushati është duke qëndruar në Pragë të Republikës Çeke, e para vizitë e një shefi të diplomacisë shqiptare që prej shtatë vjetësh…

Ditmir Bushati: Është vizita ime e parë zyrtare si ministër i jashtëm. Jam i gëzuar për shkak të programit të vizitës, e cila përfshin takime të nivelit më të lartë, me kryeministrin, me kryetarin e Kuvendit dhe homolgun tim. Gjithashtu, kam diskutime me pjesëtarë të akademisë diplomatike këtu në Pragë.

Siç dihet, në katër-pesë vjeçarin e fundit, marrëdhëniet tona nuk kanë qenë fort të intensifikuara dhe një prej qëllimeve kryesore edhe të kësaj vizite, por edhe të vizitës që do e bëj kryeministri Rama në vjeshtë, është rigjallërimi i marrëdhënieve politike dhe ekonomike në planin dypalësh me Republikën Çeke, sikurse edhe bashkëpunimi më i thelluar ndërmjet vendeve të Vishegradit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Siç dihet, selia e fondit të Ballkanit Perëndimor, që pasqyron deri diku eksperiencën e fondit të Vishegradit, do të jetë në Tiranë dhe ne këtë vit do ta bëjmë fondin operacional. Të gjitha këto elemente besojmë se janë të rëndësishme edhe sa i përket kësaj vizite.

Radio Evropa e Lirë: Të ndalemi pak te një çështje të diskutuar goxha së fundmi. Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka folur për një bashkim të shqiptarëve “në dobi të Evropës”. Kjo ka shkaktuar një valë reagimesh të ashpra në Beograd…madje mediat njoftuan edhe për notën e protestës që Serbia i ka dërguar ambasadorit të Shqipërisë në Beograd. A mund të sqaroni përfundimisht se për çfarë bëhet fjalë?

Ditmir Bushati: Qëndrimi i Shqipërisë, qëndrimi jonë ka qenë i qartë si kristali, konsistent dhe për shkak të këtij qëndrimi konstruktiv dhe dinamik që kemi mbajtur me politikën tonë të jashtme në rajon, Shqipëria gjerësisht është konsideruar spiranca e stabilitetit të rajonit.

Sa i përket mënyrës se si mund të interpretohen deklaratat e shtetarëve shqiptarë, mund të them se edhe në takimin e fundit të dy qeverive, por edhe në çdo takim me përfaqësues të rëndësishëm evropianë dhe amerikanë, qëndrimi i qeverisë shqiptare, i kryeministrit, ka qenë mjaftë i qartë që aspirata e shqiptarëve është për një anëtarësim në BE, për një anëtarësim në NATO dhe e shohim BE-në si një bashkim të popujve dhe të kombeve dhe vetëm në këtë lloj mënyre.

Radio Evropa e Lirë: Reagimet e ashpra të Beogradit, nga analistët në Prishtinë janë komentuar më shumë jo si shqetësim për deklarimet e kryeministrit, por për faktin se tani Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi, janë faktorë të rëndësishëm në Ballkan, dhe kjo po e pengon Beogradin. Komenti juaj?

Ditmir Bushati: Politikanët në Beograd, janë të lirë të interpretojnë si të duan ata, qoftë edhe për qëllime të politikës së tyre të ditës deklaratat që vijnë nga Tirana. Nuk është normale që të keqinterpretohen, por nuk më shqetëson as mënyra si i interpretojnë, e as keqpërdorimi i këtyre deklaratave.

Radio Evropa e Lirë: Kohët të fundit megjithatë është folur shumë, edhe prej Tiranës zyrtare rreth një bashkimi të shqiptarëve, qoftë pra edhe si dy shtete anëtare të BE-së. Po bëhet kështu një lloj “fronti i ri” kundrejt atyre politikave që ju, Tirana zyrtare, i quani “politika të ngadalta” të BE-së, sidomos ndaj shqiptarëve, apo është diçka tjetër në pyetje?

Ditmir Bushati: Së pari do të preferoja që të evitonim “ju dhe ne”, sepse siç përcaktohet shumë qartë edhe në partneritetin e natyrshëm strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, orientimi jonë euroatlantik është i qartë si kristali, sikundër referenca mbi dokumentet më të rëndësishme ndërkombëtare, duke filluar me aktin final të Helsinkit, apo atë që kryeministri shqiptar e ka quajtur që në krye të herës Besa e dhënë ndaj faktorit ndërkombëtar për mosndryshim të kufijve.

Së dyti, më duhet të sqaroj dhe ritheksoj që ne jemi shumë mirënjohës ndaj SHBA-së dhe Bashkimit Evropian për çfarëdo që ata kanë bërë për rajonin tonë, sidomos që nga rrëzimi i komunizmit e deri në ditët e sotme.

Sikundër, besoj që Shqipëria, por edhe Kosova, janë përpjekur për ta dëshmuar këtë mirënjohje me veprime konkrete, me procese transformuese dhe me kontribute kontrete për sigurinë jo thjesht në rajon, por edhe më gjerë.

Mobi Casa

Dhe së treti, sfida jonë dhe besoj se kjo shquhet shumë qartë edhe në programin e qeverisë së Shqipërisë, por edhe në programin e qeverisë së Kosovës, është se si këtë hapësirë lirie të fituar me mund, edhe përmes bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ta kthejmë në një hapësirë të stabilitetit demokratik dhe në një hapësirë prosperiteti për qytetarët tanë.

Radio Evropa e Lirë: Sidoqoftë, ekziston një lloj shqetësimi kundrejt politikave të BE-së ndaj shqiptarëve në Ballkan apo jo, sepse këtë e ka thënë kryeministri Rama disa herë?

Ditmir Bushati: Nuk ka asnjë politikë diskriminuese të Bashkimit Evropian për kundrejt shqiptarëve, e kundërta besoj që është e vërtetë, Bashkimi Evropian ka një politikë të drejtë ndaj të gjitha vendeve të rajonit dhe të ndershme.

Ajo që kryeministri Rama dhe të gjithë ne kemi kërkuar, është një proces më i parashikueshëm, një proces i cili kombinon më mirë kërkesat për standarde, të cilat i bëjnë mirë procesit të shtetndërtimit demokratik në Shqipëri, në Kosovë dhe në të gjitha vendet e rajonit, me instrumentet që BE-ja duhet t’i ofrojë si iniciativa për të ushqyer më mirë bashkëpunimin rajonal.

Mund t’ju them që në kemi përshëndetur jo vetëm dhënien e statusit të vendit kandidat për Serbinë, por edhe vendimin e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Të njëjtën gjë e kemi bërë edhe në rastin e Malit të Zi dhe besoj se një vendim eventual për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, do të ishte një kontribut i BE-së për politikën të cilën ajo vet e ka rrënjosur në Ballkanin Perëndimor.

Të njëjtën gjë mund të themi edhe sa i përket procesit të liberalizimit të vizave në Kosovë, dhe firmosjes së marrëveshjes së stabilizim-asocimit në Kosovë, sepse janë në një mënyrë apo tjetrën, investime që vetë Bashkimi Evropian i ka bërë për qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Nuk do të ishte e këshillueshme, nuk do të ishte e drejtë dhe nuk do të ishte produktive, nga ana jonë, që të vendosim mure imagjinare për politika diskriminuese.

Radio Evropa e Lirë: Zoti ministër, në debatin që u mbajt në Ministrinë e Jashtme të Çekisë, u fol për Shqipërinë si për një vend që prodhon stabilitet dhe siguri më të madhe për Evropën. Megjithatë, të flasim për diskutimet sikur është afera e ashtuquajtur “Doshi”, afera këto që rëndom ndodhin pak para zgjedhjeve, sipas vëzhguesve në Tiranë. Pse është kështu?

Ditmir Bushati: Normalisht, ne do të dëshironim që në shoqëritë tona në rajon, duke përfshirë në radhë të parë shoqërinë shqiptare, të kishim një debat politik dhe një ambient politik të ngjashëm me atë që shohim në vendet skandinave.

Por, në fakt ne jemi mesdhetar, jemi edhe ballkanas dhe nuk më shqetëson debati, por mënyra se si adresohen mendimet e opinionit publik.

Për rastet në fjalë, besoj se ne do të duhet të nxisnim të gjithë institucionet e shtetit të së drejtës, që të thonë fjalën e tyre me profesionalizëm, dhe të gjithë personat që kanë operuar në shkelje të ligjit, të shkojnë përpara drejtësisë, dhe nga ana tjetër, besoj që është detyra jonë si qytetarë e jo si politikan, që të kontribuojmë dhe të nxisim opinionin publik, që ta shoh në mënyrë kritike, çdo veprim të autoriteteve të drejtësisë, deri te fjala finale.

Mënyra se si adresohen këto çështje, dallon shoqëritë e pjekura nga shoqëritë që ende nuk kanë kaluar tranzicionin demokratik.