Burri i çan kafkën me çekiç gruas, në sy të dy fëmijëve

/ 3 minuta lexim

Dhuna ndaj grave nuk ka të ndalur. Sërish masakër në Durrës. Ende pa u shuar jehona e krimit makabër në fshatin Xhafzotaj, ku 80-vjeçari Shaban Norja i preu kokën 18 vjeçares shtatzënë Aishe Vata, një 48-vjeçar nga Durrësi i ka çarë kafkën me çekiç nënës së dy fëmijëve të tij.

Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë me dije, se ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmë në lagjen nr.8 të këtij qyteti. Sipas hetuesve të çështjes, skena horror me protagonist Bujar Dedej ka ndodhur në sy të dy fëmijëve të mitur të viktimës, Lime Dedej. Pas masakrimit të ishbashkëshortes, autori i krimit makabër ka shkuar vetë në polici dhe ka deklaruar se ka vrarë të shoqen 42 vjeçe.

Nga kryerja e veprimeve të para hetimore ka rezultuar se çifti Dedej ishte divorcuar para disa kohësh dhe se vrasja ka ndodhur për motive xhelozie e për shkak të konflikteve të vazhdueshme në familje për gjendjen e mjeruar ekonomike. Bujar Dedej, i cili akuzohet për “Vrasje me dashje” ka përfunduar në prangat e policisë.

VRASJA

Uji Dea

Varfëria dhe xhelozia kanë çuar deri në marrëzi një 48-vjeçar nga Durrësi. Për shkak të konflikteve të vazhdueshme në çift, Bujar Dedej ishte divorcuar me nënën e dy fëmijëve të tij (djalë e vajzë), përkatësisht 6 e 7 vjeç. Sipas policisë lokale, pas divorcit, Dedej dhe ish-gruaja e tij jetonin së bashku në një shtëpi njëkatëshe (barakë) në periferi të qytetit bregdetar. Por sherret mes tyre kanë vazhduar edhe pas divorcit, rapoton Balkan Web.

Mbrëmë rreth orës 20:00, Dedej është konfliktuar ashpër me ish-bashkëshorten e tij. Pas debateve dhe sharjeve të ndërsjella, 48-vjeçari ka marrë një çekiç dhe ka goditur për vdekje ish-gruan, duke e lënë atë të vdekur mbi krevatin bashkëshortor. Vrasja është kryer në sy të dy fëmijëve të mitur, të cilët kanë marrë ulërimën nga tmerri. I shpërfytyruar, Bujar Dedej ka lënë ish-gruan të mbytur në gjak dhe ka shkuar në Komisariatin e Policisë së Durrësit.

ARRESTIMI

“Kam vrarë nënën e dy fëmijëve të mi. E keni të vdekur në shtëpi”, – ka thënë Bujar Dedej. Të alarmuar, forca të shumta policore kanë marrë vrasësin me vete dhe kanë shkuar në banesën ku kishte ndodhur krimi. “Ishte e tmerrshme. Viktimën Lime Dedej e gjetëm përmbys në krevat, të mbytur në gjak. Dy fëmijët e mitur qanin me të madhe. Ata i dërguam tek fqinjët, ndërsa trupin e pajetë të 42vjeçares e dërguam në spital. Mjekët konfirmuan se ajo kishte ndërruar jetë për shkak të goditjeve me mjete të forta në kokë”, – pohuan hetuesit e çështjes. Pas këqyrjes së trupit të viktimës, mjekët e Spitalit Rajonal të Durrësit sqaruan se 42-vjeçares i ishte çarë kafka nga goditjet e njëpasnjëshme me çekiç. Ndërsa autori i krimit është prangosur, në banesë kanë mbërritur të afërmit e viktimës, të cilët janë shokuar nga ngjarja.