UBT

Burim Ramadani: Thaçi dhe PDK e shndërruan Kosovën në luginë të ekstremizmave

/ 11 minuta lexim
ARKATANA

Policia e Kosovës ka bërë punë edhe më herët në luftimin e rrymave ekstreme qe thirren në emër të fesë. Thaçi pati premtuar se Kosova do të bëhet “Luginë silikoni” e u bë luginë e ekstremizmave. Në këtë situatë bashkëpunimi Qeveri Bashkësi Islame është i domosdoshëm. Secili duhet ta dijë se s’do të ketë Qeveri gjithëpërfshirëse dhe as zgjedhje të reja. Sekretari i Përgjithshëm i AAK’së, Burim Ramadani, flet për Express.

Express: Policia e Kosovës ka ndërmarrë aksione të mëdha për arrestimin e të dyshuarve për terrorizëm. Si i keni parë këto lëvizje të policisë së Kosovës?

B. Ramadani: Besoj se aksioni i Policisë së Kosovës duhet të jetë në koordinim të plotë me institucionet e tjera të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në Kosovë. Tek e fundit, shumë është pritur për të reaguar shteti në këto rrethana.

Unë e di që Policia e Kosovës ka bërë punë edhe më herët në këtë drejtim, pra rreth rrymave ekstremiste që thirren në emër të fesë, porse e di, po ashtu, se Policia e Kosovës dhe instituiconet tjera duhet të profesionalizohen edhe më shumë në këto çështje të ndjeshme.

Interesimi i të gjithë neve aktivistëve publik, institucioneve shtetërore, partive politike dheshoqërisë në tërësi duhet të jetë në profesionalizimin e mëtutjeshëm të institucioneve të sigurisë, në mënyrë që kjo të kthehet në shërbim për qytetarët. Obligimi i shtetit është siguria e qytetarit. Nëse këtë nuk arrin ta bëjë, atëherë patjetër se duhet të investojmë më fuqishëm në institucionet vitale të shtetit.

Express: Pas arrestimeve reagoi Kryeministri në largim dhe tha se ai i autorizoi arrestimet. Ishte e saktë kjo apo Thaçi dëshironte të merrte meritat për këtë aksion?

B. Ramadani: Deputeti Thaçi, apo ish-kryeministri Thaçi, duket se ka pasur nevojë personale politike të thoshte ashtu. Në fakt, edhe po të ishte e saktë çka ka deklaruar Thaçi, kjo do të dëshmonte logjikën qeverisëse të këtyre viteve. Pra, ndërhyrjen politike në operacione, gjë e cila është plotësisht e ndaluar në bazë të Ligjit për Policinë dhe normave tjera kushtetuese e ligjore.

Por, edhe njëherë po e them se Thaçi, derisa ka qenë kryeministër, ka ndërhyrë rregullisht në çështjet operative të Policisë së Kosovës, sikurse edhe në çdo institucion tjetër të pavarur.

Normalisht se nga shtatori, me krijimin e Qeverisë demokratike në Kosovë, do të ndalen njëherë e përgjithmonë këto praktika të shkeljes së autonomisë operative të Policisë së Kosovës, do të fillohet reforma strukturore dhe profesionale e Policisë dhe do të rritet kapaciteti buxhetor për Policinë.

Qeveria është ajo që i bën politikat, që i vendos prioritetet, por asnjëherë nuk guxon të ndërhyjë në autorizimin apo mos-autorizimin e operacioneve konkrete. Paramendojeni sikurse kjo deklaratë e Thaçit është e vërtetë, atëherë pse nuk i ka autorizuar më herët që të ketë operacione të këtilla? Pse është pritur të arrestohet mbi 40 veta, kur ka mundur të ndodhte ndoshta me 4 veta? Kush e mban përgjegjësinë për këtë?

Megjithatë, duket se vet ai i ka rënë pishman deklaratës së tij.

Përndryshe, besoj se të gjithëve na kujtohet se është vetë qeveria e kaluar që na pati premtuar “Luginën e Silikonin”, ndërkaq e ktheu Kosovën në “Luginë të ekstremizmit”.

Express: Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur konfrontime me radikalistët islamik. Edhe ju keni pasur kërcënime. Si duhet të luftohet këta njerëz pasi vetëm arrestimet s’mjaftojnë?

B. Ramadani: Aleanca ka dëshmar se është parti kombëtare. Aleanca nuk ka bërë kalkulime me askënd. Për dallim koalicionit qeverisës që shkoi, ne e kemi thënë të vërtetën. Ashtu sikurse është. E dimë që e vërteta nuk është e zbukuruar, prandaj shpesh është më e ashpër.

Fatkeqësisht, na patë keqkuptuar shumë. Për më shumë, kundërshtarët politik e shfrytëzuan atë situatë me fushatë të egër kundër nesh si Aleancë.

Edhe personalisht, nuk kam guxuar të heshti para një teme të këtillë. Si shqiptar, si musliman dhe si nip hoxhe kam drejtuar gishtin kundër ekstremizmit. Nuk ndihem asnjëherë inferior pse jam musliman. Por, mbi të gjitha jam shqiptar dhe kështu do të mbes.

Kërcënimet kanë qenë të vazhdueshme dhe të shumta, porse kjo asnjëherë nuk na ka ndalur në kryerjen e një detyrë kombëtare për ne.

Porse, si luftohen rrymat ekstremiste që thirren në çështje fetare? Kjo nuk është aq e lehtë dhe e thjeshtë. Njëjtë, sikurse luftohet qeverisja e keqe. Sepse, qeverisja e keqe sjellë gjithçka. Kosova po e dëshmon këtë. Kur një qeverisje e keqe udhëheq vendin, shoqëria në pamundësi të ndrrimit të Qeverisë, mund ta ndërrojë vetveten apo pjesë të vetes.

Ky është problemi: Stërkeqja monstruoze që ka ndodhur në Kosovën e pavarur e të zaptuar nga një grup njerëzish të padijshëm.

Sidoqoftë, opinoni në Kosovë duhet të shmanget nga paragjykimet. Institucionet e Kosovës duhet të kenë qasje gjithëpërfshirëse të koordinuar për ndërtimin e politikave të përbashkëta për luftimin e çfarëdo ekstremizmi.

Qeveria e ardhshme ka qartësi të plotë se si do të ndërtohet bashkëpunimi ndër-institucional në këtë çështje. Ne besojmë plotësisht se Qeveria dhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) duhet të jenë partner të pandashëm në shmangien e çfarëdo ekstremizmi në Kosovë.

Ne e dimë situatën në BIK dhe nevojat që ka BIK-u për funksionimin e vet efektiv. E dimë që ka nevojë për Ligj për Bashkësitë Fetare në Kosovë. E dimë që ka nevojë për sigurim të financimit të rregullt buxhetor të BIK-ut. E dimë që ka nevojë për kontrollin e financimeve që vijnë nga jashtë. Mbi të gjitha, ka nevojë për mospolitizim të asnjë niveli të predikuesve të fesë dhe as praktikuesve të fesë. Por, të gjitha këto do t’i bëjmë bashkë me BIK-un, si një partner serioz për të luftuar individët apo grupet ekstremiste.

Është e qartë se ndarja e shtetit dhe fesë është në thelb parim institucional, porse në të njëjtën kohë bashkëpunimi i plotë dhe partneriteti i fuqishëm mes institucioneve dhe BIK-ut në këtë rast është në të mirën e përgjithshme.

FIDANISHTJA

Kur flasim për rrezikuesit e sigurisë në Kosovë, normalisht se këtu nuk mund të ketë asnjë tendencë për kompromis. Shteti funksional nënkupton, mbi të gjitha, ofrim të sigurisë për qytetarët.

Shteti nuk paragjykon qytetarët e vet. Përkundrazi, edhe në rastet kur individë të caktuar i takojnë rrymave ekstremiste, shteti e ka për obligim t’i largojë ata nga rrymat e tilla. Edhe në këtë aspekt, roli i partneritetit me BIK-un është i pazëvendësueshëm.

Kujdesi i shtetit për secilin qytetar është i domosdoshëm. Porse, në bindjen tonë, kërkesat e praktikuesve të fesë Islame në Kosovë përfaqësohen nga BIK-u, prandaj partneriteti me BIK-un është çështje e padiskutueshme.

Normalisht se Qeveria është përgjegjëse për sigurinë, jo të tjerët. Porse, bashkëpunimi me komunitetin është vlerë e qeverisjes së mirë.

Express: Të flasim për koalicionet dhe ndërtimin e Qeverisë. Zyrtarët e PDK’së po kërkojnë qeveri gjithëpërfshirëse. Qeveri gjithëpërfshirëse pati kërkuar edhe AAK pas zgjedhjeve të vitit 2010. Pse s’bën të formohet një Qeveri me bazë të gjerë?

B. Ramadani: Është e kuptueshme se ka disa politikanë në Kosovë, të grumbulluar rreth PDK-së, që po duan ta ndalin ndryshimin e madh. Këta nuk duan ndryshim. Duan të vazhdojnë të njëjtën logjikë, të zaptimit të shtetit. Por, kjo nuk do të ndodh.

Kosova ka nevojë për ndryshim. Qytetarët e kërkojnë këtë ndryshim dhe presin shumë përgjegjësi nga Qeveria e ardhshme e Kosovës. Presin luftimin e korrupsionit, krimit të organizuar, zhvillim ekonomik, arsimim kualitativ, shërbime shëndetësore të mira, zhvillim të bujqësi, rrymë 24 orë në ditë, investime të jashtme dhe të brendshme. Presin punësim dhe jetë më të mirë. Këto nuk mund të arrihen assesi nëse vazhdon e njëjta logjikë qeverisëse.

Dhe, në fakt, disa politikanë të grumbulluar rreth PDK-së, po duan që të gjitha këto t’i ndalin. Të mos ketë zhvillim, të mos ketë jetë më të mirë.

Prandaj, qeveri që përfshin PDK-në nuk do të ketë.

Express: A i keni ndarë pozitat qeveritare apo kjo çështje ka mbetur të diskutohet më vonë?

B. Ramadani: Këto janë çështje dytësore. Nuk është krejt thelbi në ndarjen e pozitave qeveritare. Thelbi është përkushtimi për ndryshimin e madh në Kosovë. Vendosmëria për të kthyer Kosovën në një shtet normal, ku secili ka përgjegjësinë e vet dhe ndërtohet llogaridhënia e plotë.

Të tjerat janë më shumë çështje teknike. Ato do të bëhen të ditura me kohë në opinionin publik.

Express: Si duket Vetëvendosje s’do të jetë pjesë e koalicionit për shkak të dallimeve që ka me Bllokun opozitar?

B. Ramadani: Nuk e di. Është çështje e bisedave që kanë ndodhur deri më tash dhe e qasjes së përgjithshme rreth qeverisjes së re. Me rëndësi është që Kosova të ketë qeverisje demokratike dhe efektive. Koalicioni LDK-AAK-NISMA e ka përnjëmend qeverisjen e mirë. Këtë e di me siguri të plotë.

Express: E keni një analizë tuajën se pse s’arritët të bëheni deputet i Parlamentit të Kosovës?

B. Ramadani: Analizat janë të vazhdueshme, sikurse edhe angazhimet që nuk ndalen asnjëherë. Normalisht se ka pasur shumë faktorë, kryesisht që ndërlidhen me aspekte të përgjithshme dhe jo specifike.

Porse, angazhimi im do të jetë i vazhdueshëm, sepse nuk e shoh aktivizimin në politikë si episod. Edhe këtu, gjithnjë angazhimi është i mbështetur në mundësitë që t’i jap diçka të mirës publike. Në momentin e kundërt, sigurisht se edhe vendimi do të jetë i kundërt.

Sidoqoftë, kandidimi për deputet nuk ka qenë kandidim për një pagë, por për përfaqësim parlamentar. Kjo nuk është vlerësuar nga votuesit, prandaj përfaqësimi mund të ndodh edhe në forma tjera.

Express: Sa i përket deputetëve të AAK’së ka pasur komente se kanë hyrë më shumë familjarë se sa njerëz të dëshmuar në politik. Jashtë kanë mbetur edhe Ahmet Isufi e Ardian Gjini e në Parlament kanë hyrë vëllezërit Haradinaj e daja i tyre Lahi Brahimaj?

B. Ramadani: Një gjë e di: komente të tilla nuk ka pasur në Aleancë dhe tek votuesit dhe strukturat e Aleancës. Kjo për shkak se secili i njohim mirë dhe detajshëm vlerat e secilit deputet dhe deputete të AAK-së në Kuvendin e Kosovës.

Unë jam i bindur se deputetët e AAK-së kanë përvojë të gjatë të aktivitetit të tyre për çështjet kombëtare dhe të të mirës publike, sikurse edhe profesionistë të fushave të ndryshme. AAK ka përfaqësim adekuat në Kuvend, bazuar në vlerat e saj dhe të angazhimit të përditshëm të strukturës dhe kryesisë qendrore.

Express: Nëse shkohet në zgjedhje, a do shkoni bashkë me LDK’në dhe NISMEN me z. Haradinaj kandidat për Kryeministër apo do të ketë ndërrim të kandidatit për Shef të Qeverisë?

B. Ramadani: Zgjedhje nuk do të ketë për këtë mandat. Është çështje e kryer. Për zgjedhjet e vitit 2018, do të diskutojmë me kohë.