Burg për mercenarët dhe xhihadistët

Pas Kosovës, edhe Shqipëria duket se është gati të ndalojë me ligj përfshirjen e shtetasve të saj në luftëra jashtë territorit të Republikës, si konflikti në Siri apo luftëra të ngjashme. Lajmi është konfirmuar për “News 24” nga kreu i komisionit parlamentar të ligjeve, Fatmir Xhafa.
Në thelb ajo që kërkohet është shtimi i disa dispozitave në Kodin Penal ekzistues, ku do të cilësohet vepër penale angazhimi i shtetasve shqiptarë në konflikte të armatosura jashtë vendit, pa qenë shtetas të ndonjërës prej palëve ndërluftuese.
Nëse drafti miratohet shtetasit shqiptarë që nuk do ti binden ligjit, do të rrezikojnë burgim në burgjet shqiptare për një periudhë të gjatë kohore.
Ndryshimet në Kodin Penal do të jenë të ashpra edhe ndaj personave apo organizatave të caktuara që nxisin apo rekrutojnë shtetas shqiptarë, për t’i dërguar në konflikte të armatosura si mercenarë apo xhihadistë.
Nisma e grupit të punës pritet të diskutohet fillimisht në Komisionin e Ligjeve në ditët në vijim, për të kaluar më pas në seancë plenare ku mazhoranca i ka kartonat për ta miratuar atë.
Propozimet vijnë pas mediatizimit të madh që ka marrë përfshirja në konfliktin e Sirisë të dhjetëra shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, ku një numër jo i vogël i tyre kanë humbur jetën në luftime kundër ushtrisë së Al Assad, si dhe midis grupeve rivale që deklarojnë se po bëjnë një luftë të shenjtë.