RCCOLA

Bunjaku shpresa e St. Gallenit

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Asnjëherë nuk u rehatua nga problemet me lëndime, por tani duket se është i gatshëm. Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku ka debutuar me skuadrën e tij St. Gallen, në elitën e futbollit zviceran, duke filluar ndeshjen që nga minuta e parë dhe duke mos u ankuar në ndonjë lëndim.

Autori i golit historik për Kosovën në humbjen 6:1 nga Turqia, Albert Bunjaku ka folur për gazetën zvicerane ‘nzz.ch’, ku ka treguar se kjo është një mundësi e mirë për të, pas një karriere të suksesshme por edhe me plot lëndime të kaluar në futbollin gjerman.

“St. Gallen është klub i qëlluar për mua dhe jam shumë i motivuar që të luaj për këtë skuadër. Lëndimin tani e kam lënë pas dhe po mendoj vetëm që të luaj dhe t’i ndihmoj skuadrës time. Kjo skuadër ka bërë përpjekje të mëdha për të nënshkruar me mua dhe tani duhet që t’ia shpërblej me atë që di më së miri ta bëjë duke shënuar gola”, deklaroi Bunjaku.

Mobi Casa

Ai luajti për gjatë 84 minutave në ndeshjen e parë të kampionatit ndaj Young Boys duke u treguar shumë i rrezikshëm për kundërshtarët e tij. Pas përfundimit të takimit me rezultat të barabartë 2:2, Bunjaku ishte ndër lojtarët me notat më të larta në këtë sfidë.

Ai beson në këtë projekt të klubit zviceran dhe për këtë ka nënshkruar kontratë afatgjate, duke u transferuar me gjithë familjen në shtetin helvetik. “Në fillim jemi marrë veshë që të qëndroj gjatë këtu, dhe nuk e kam ndërmend të lëviz. Gjithashtu edhe familja ime ka ardhur për të jetuar këtu dhe fëmijët do t’ia fillojnë shkollës në këtë qytet. Do të jem gjatë këtu”, tha Bunjaku.

Ndërkohë pas largimit të tij nga loja, të gjithë tifozët e pranishëm në shkallët e stadiumit u ngritën në këmbë për ta duartrokitur atë. Tani ST Gallen ka një lojtar me përvojë që mbanë gjallë shpresat te ai./tribuna/