Bunjaku Rexhepi përkrah protestën e fëmijëve kundër dukurive negative
Gjilan – Fëmijët e Komunës së Gjilanit, nën organizimin e organizatës ndërkombëtare “Psikoterapeutët në veprim”, kanë protestuar sot kundër dukurive negative siç është dhuna, droga, duhani etj., në kuadër të Javës ndërkombëtare kundër dukurive negative.
Me këtë rast drejtoresha e kësaj organizate, Sevdije Musliu, tha se këta nxënës konform të drejtave të tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjeve në fuqi, në harmoni të plotë me Konventën Ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve paraqitën problemin dhe shqetësimet e tyre derisa të gjithë së bashku jemi të ftuar t’i zgjidhim ato.
Në emër të kryetarit të Komunës dhe Kuvendit Komunal aktivitetin e ka përshëndetur kryesuesja Valentina Bunjaku Rexhepi.
“Sot ju fëmijë të dashur me këtë protestë simbolike po e luftoni dhunën, drogën, duhanin etj., dhe kjo është një kënaqësi që ju shoh këtu. Me këtë protestë simbolike, ju i jepni mundësi të tjerëve që të vetëdijësohen dhe të largohen nga këto dukuri negative, të cilat e shkatërrojnë shoqërinë. Ju inkurajoj që këso organizime të vazhdoni të bëni edhe më tutje. Komuna e Gjilanit gjithmonë do të mbështesë iniciativat e tilla”, tha kryesuesja Bunjaku Rexhepi.
Përfaqësuesja e nxënësve Anduena Poroshtica ka thënë se me anë të kësaj proteste dëshirojmë të sensibilizojmë secilin se dhuna dhe droga nuk janë zgjidhja e problemit, por fillimi i problemit./rajonipress/


