Bunjaku-Rexhepi kërkon nga kryeministri rritjen e mëditjeve për asambleistët

Gjilan – Nën organizimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal dhe OSBE-së, është mbajtur sot mbledhja e radhës i Kolegjiumit të Kryesuesve të Kuvendeve Komunale të Kosovës, nën kryesimin Valentina Bunjaku-Rexhepit.
Në këtë mbledhje, është diskutuar për punën e Kuvendeve Komunale në mbarë Kosovën, ku disa Komuna kanë marrë vërejtje pasi aktet e nxjerra nga Kuvendi nuk janë të publikuar në uebfaqen zyrtare të Komunave përkatëse, ndërsa Gjilani mori lëvdata në mbarëvajtjen e punëve të Kuvendit në të gjitha aspektet. Edhe sa i përket transparencës, Komuna e Gjilanit është vlerësuar në nivelin më të lartë.
Kryesuesja e Kolegjiumit të Kryesuesve të Kuvendeve Komunale të Kosovës, Valentina Bunjaku Rexhepi, në emër të të gjithë asambleistëve të Kosovës, ka kërkuar rritjen e mëditjes së këshilltarëve në nivel të Kosovës, me arsyetimin se rritja prej 25 për qind e pagave duhet të vlejë edhe për asambleistët.
“Është shumë e arsyeshme rritja e mëditjes sepse nëse e duam një Kuvend më efektiv duhet të stimulohen asambleistët. Ndërsa, e theksoj faktin se raporti mes kryetarit dhe kryesuesit është në nivel të duhur, prandaj edhe punët kanë shkuar mire në Komunën e Gjilanit. E falënderoj zyrën ligjore dhe sekretarinë e Kuvendit për punën dhe angazhimin madh që kanë treguar në këtë fazë”, ka thënë zonja Bunjaku-Rexhepi.
Ndryshe, para dy ditësh kryesuesja e Kuvendit Komunal të Gjilanit, Valentina Bunjaku Rexhepi, i ka dërguar shkresë zyrtare kryeministrit Thaçi, me kërkesën për rritjen e mëditjes së asambleistëve, por deri tash nuk marrë përgjigje nga ana e tij./rajonipress/