RCCOLA

Bumi turistik në Shqipëri: “Njerëzit janë shumë miqësorë”

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Media ndërkombëtare, të tilla si CNN, raportuan për Shqipërinë, duke e renditur si një ndër destinacionet më interesante të këtij sezoni veror, qoftë për plazhet, zonat malore, ushqimet apo edhe çmimet e volitshme.

Të dhënat e fundit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit janë ato për muajin gusht, të cilat tregojnë se Shqipërinë e vizituan mbi dy milionë turistë të huaj, ose 18% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa prej janarit e deri në fund të gushtit e vizituan gati 7.2 milionë, apo 27% më shumë se në periudhën janar-gusht, vitin e kaluar.Në rrugët e Tiranës shihen çdo ditë grupe turistësh.

Hasan Luozani është njëri prej tyre, i cili thotë se për Shqipërinë ka dëgjuar nga mediat, ndaj edhe ka vendosur ta vizitojë.“Vij nga Algjeria. Kjo është hera e parë që jam në Tiranë dhe më pëlqen. Njerëzit janë shumë pozitivë dhe të ndihmojnë, ndihem sikur jam në vendin tim”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

Mobi Casa

Çifti Labba vjen nga Gjermania. Thotë se ka vizituar disa qytete në veriun e Shqipërisë, do të qëndrojë disa ditë në Tiranë dhe më pas do të udhëtojë drejt jugut.“Kemi vizituar Shkodrën, Dibrën, tani Tiranën. Na ka pëlqyer gjithçka, natyra, njerëzit, gjërat e vjetra dhe ato moderne, gjithçka. Njerëzit janë shumë miqësorë. Kjo na ka pëlqyer më së shumti, ndërsa problem janë rrugët, nuk janë të mira, janë të ngushta, duhet të udhëtoni me shumë kujdes”, thotë çifti gjerman.

Mes grupeve të turistëve në qendër të kryeqytetit shqiptar është edhe një i ri nga Anglia.“Sapo kam ardhur, po vizitoj Tiranën dhe më pas do të udhëtoj drejt plazheve të jugut. Më pëlqen Tirana, është bukur. Ushqimin tradicional nuk e kam provuar akoma, pasi kam blerë ushqime në supermarket”, thotë Woody Newhouse.Jordan Stacey vjen nga Melburni i Australisë dhe gjendet në Shqipëri tash e gati një muaj.“Kam vizituar Shkodrën, Tiranën, Beratin, Vlorën, Himarën. Kam qenë në Theth për ‘hiking’, ishte një natyrë fantastike, ishte e bukur bujtina ku qëndrova, ushqimi i shijshëm. Gjithashtu njerëzit janë shumë miqësorë dhe të ndihmojnë nëse ke problem”, thotë Jordan, për herë të parë vizitore në Shqipëri.

Por, ajo thotë se ka hasur edhe në disa probleme.“Ishte një përvojë shumë e bukur, por një problem i madh ishte mungesa e sinjalistikës, e tabelave orientuese, e këshillave në zonat që paraqesin rrezik, për shkak të terrenit të vështirë. Një tjetër problem ishte transporti publik, mungesa e tabelave për oraret e nisjes. Mund ta mësoje vetëm duke pyetur njerëzit, por ishte e vështirë pasi shumica nuk dinin anglisht”, thotë vajza australiane.Ajo shpreh disa rezerva edhe për cilësinë e shërbimit në restorante, për vonesat në marrjen e porosive apo dorëzimin e tyre, si dhe për kryerjen e pagesave.