Mobi Casa

Bumerangu special

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Kur Dick Martty i kishte nisur hetuesit në Ballkan, ekspertët e kishin paralajmëruar se e priste një sfidë e madhe: rrjetet kriminale në Shqipëri dhe Kosovë janë “më të zorshme për t’u hetuar sesa ‘Cosa Nostra’’, një prej organizatave me nam mafioz botëror.

Hetimin dyvjeçar Martty do ta përmblidhte në një raport me dyshime se “krimet e një grupi mafioz” të drejtuar nga Hashim Thaçi ishin më të rënda sesa ato të “Cosa Nostras”. Dyshohej për rrëmbim, vrasje dhe heqje veshkash të civilëve serbë e shqiptarë, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo e tronditi Thaçin. Reputacioni i tij në botë nisi të rrënohej në dhjetor të vitit 2010.

Ai kishte investuar shumë në imazh. Pakkush e kishte menduar se tërë investimi i tij do të shembej për një ditë të vetme.

Thaçi kishte marrë pozitën e kryeministrit në mandatin e parë në janar të vitit 2008.

Një muaj më vonë, në shkurt të atij viti, Thaçi lexoi Deklaratën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, ndonëse kjo detyrë i përkiste presidentit të Republikës.

Leximi i deklaratës nga Thaçi bëri që të rritej në masë popullariteti i njeriut që bart më vete kredencialet e një ish-guerilasi dhe udhëheqësi politik të UÇK-së.

Fundamenti

Por goditja që pësoi nga Dick Martty rrëzoi përtokë gjarpërimet e tij drejt suksesit.

Profili i tij prej një lideri politik “po plotësohej” me elemente “të një mafiozi si drejtues i një grupi që merrej edhe me trafikim kokaine”.

I rrënuar tashmë, Thaçi e kishte cilësuar raportin si shpifje dhe kishte pohuar se do të padiste senatorin Martty. Por kurrë nuk e bëri një gjë të tillë.

E kjo “shpifje” ka rezultuar me një hetim penal nga një ekip special, nën udhëheqjen e prokurorit amerikan Clint Williamson, që ka paralajmëruar ngritjen e të paktën dhjetë aktakuzave. I akuzuar ka gjasa të jetë edhe vetë Thaçi, i cili mezi ka bindur deputetët e partisë së tij që të votojnë pro Gjykatës Speciale para të cilës mund të ulet si i akuzuar.

Enver Robelli është ndër të parët gazetarë që kishte intervistuar ish-kryeministrin Hashim Thaçi kastile për raportin. Gazeta zvicerane “Tages Anzeiger”, për të cilën punon, e kishte autorizuar për një intervistë me Hashim Thaçin si një shans për t’iu përgjigjur akuzave të rënda që tashmë ishin publikuar në media.

Robelli rikujton se Thaçi në këtë raport përshkruhet si kreu i një organizate mafioze që s’ka lënë gjë të zezë pa bërë, ani se ish-kryeministri nuk po i merrte shumë seriozisht këto akuza.

http://koha.net/?id=27&l=69928