FIDANISHTJA

Bulevardi i madh, pyetjet edhe më të mëdha: Qytetarët kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie nga Alban Hyseni

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Ndërsa Komuna e Gjilanit po paralajmëron nisjen e punimeve për ndërtimin e bulevardit të ri të qytetit, një projekt që konsiderohet ndër investimet më të mëdha infrastrukturore të viteve të fundit, qytetarët po shtrojnë pyetje legjitime dhe po kërkojnë më shumë transparencë, informim dhe llogaridhënie nga institucionet komunale.

Askush nuk e konteston nevojën për zhvillim urban apo investime kapitale që mund të ndryshojnë pamjen dhe funksionalitetin e qytetit. Përkundrazi, qytetarët e Gjilanit e mbështesin modernizimin dhe projektet që krijojnë perspektivë të re zhvillimore. Megjithatë, përmasat e këtij projekti kërkojnë shumë më tepër sesa deklarata optimiste dhe prezantime publike.

Banorët e zonave të prekura dhe bizneset që operojnë përgjatë traseve të planifikuara kërkojnë të dinë se si do të menaxhohet jeta e përditshme gjatë muajve apo viteve të punimeve. Deri më tani, sipas tyre, mungojnë sqarime të detajuara për qarkullimin alternativ, qasjen në lagje, funksionimin e transportit dhe ndikimin që projekti do të ketë në aktivitetin ekonomik.

“Qytetarët nuk kërkojnë mrekulli, por informacion të qartë. Duan të dinë se çfarë i pret nesër dhe si do të organizohet jeta e tyre gjatë realizimit të projektit”, shprehen zëra të shumtë nga komuniteti lokal.

Një shqetësim tjetër lidhet me bizneset që mund të përballen me vështirësi serioze gjatë periudhës së ndërtimit. Mungesa e qasjes së klientëve, kufizimet në qarkullim dhe zgjatja eventuale e punimeve mund të prodhojnë pasoja ekonomike për dhjetëra subjekte afariste që sigurojnë të ardhura për qindra familje.

Po aq e rëndësishme mbetet edhe çështja e infrastrukturës nëntokësore. Ekspertët dhe qytetarët kërkojnë garanci se para nisjes së punimeve do të bëhet një planifikim i plotë i rrjeteve të ujësjellësit, kanalizimit, energjisë elektrike dhe telekomunikimit, në mënyrë që qyteti të mos përballet me gërmime të reja menjëherë pas përfundimit të projektit.

Në një letër publike drejtuar kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, Ardian Azemi nga AAK ka shprehur mbështetjen e tij për projektin e ndërtimit të bulevardit të ri, duke e cilësuar atë si një investim me potencial për t’i dhënë qytetit një identitet të ri urban dhe zhvillimor.

FIDANISHTJA

Megjithatë, ai ka theksuar se përmasat dhe kompleksiteti i projektit kërkojnë planifikim të kujdesshëm, koordinim institucional dhe profesionalizëm të lartë në çdo fazë të realizimit.

Azemi ka ngritur një sërë pyetjesh që, sipas tij, meritojnë përgjigje të qarta nga Komuna, duke kërkuar transparencë për organizimin e qarkullimit gjatë punimeve, rrugët alternative që do të përdoren, qasjen e banorëve në pronat e tyre si dhe funksionimin e transportit dhe lëvizjes së përditshme në zonat që do të preken nga ky projekt i madh infrastrukturor.

Sipas tij, qytetarët kanë të drejtë të informohen paraprakisht për çdo ndikim që punimet mund të kenë në jetën e tyre të përditshme.

Në opinionin publik po shtohen edhe pyetjet rreth kapaciteteve të operatorëve ekonomikë që do ta realizojnë projektin. Qytetarët kërkojnë që puna t’u besohet kompanive me përvojë, kapacitete profesionale dhe përgjegjësi të dëshmuar, duke shmangur vonesat, aneks-kontratat dhe zvarritjet që kanë shoqëruar projekte të ngjashme në të kaluarën.

Pikërisht për këtë arsye, kërkesa kryesore drejtuar kryetarit të Komunës, Alban Hyseni, nuk është kundërshtimi i projektit, por transparenca e plotë mbi mënyrën e realizimit të tij. Qytetarët presin informim të vazhdueshëm, plan të detajuar të punimeve, afate reale, komunikim të rregullt me publikun dhe përgjegjësi institucionale për çdo fazë të projektit.

Në fund, mesazhi i tyre është i qartë: Gjilani ka nevojë për zhvillim, por zhvillimi nuk matet vetëm me nisjen e projekteve. Ai matet me cilësinë e realizimit, respektin ndaj qytetarëve dhe aftësinë e institucioneve për të dhënë llogari para publikut për çdo euro të investuar dhe për çdo vendim që prek jetën e përditshme të komunitetit./rajonipress/