Hidromorava

Bukoshin nuk e shpëton imuniteti

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Ish-Zëvendëskryeministri Bujar Bukoshi nuk do të mund të mbrohet nga imuniteti, pasi një kolegj gjykatësish ka vendosur se ai nuk njihet në rrethana kur ngrihen pretendime se zyrtari ka shpërdorur pushtetin e tij.

Kolegji i gjyqtarëve i përbërë nga Laura Liguori, Cezary Dziurkowski dhe Vahid Halili, ka nxjerrë të martën aktvendim kundër ankesës së mbrojtjes ndaj aktvendimit të Gjykatës Qarkut në Prishtinë, të 11 shtatorit, duke e hedhur poshtë përfundimisht ankesën e mbrojtjes në lidhje me imunitetin e ish-Ministrit Bujar Bukoshi.

Ankesa është refuzuar si e pabazuar.

“Imuniteti nuk njihet nën këto rrethana dhe askush nuk mund të kërkojë se ka vepruar në kuadër të fushëveprimit të përgjegjësive të tij/saj siç e parasheh neni 98 i Kushtetutës së Kosovës”, thuhet në vendim.

Mbrojtja arsyetohej se sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me imunitetet funksionale, ish-ministri i Shëndetësisë ka pasur imunitet në veprimet që i ka ndërmarrë brenda orarit të punës.

Aktakuza e prokurores Maria Bamieh e ngarkon ish-Ministrin e Shëndetësisë Bujar Bukoshi se kishte mbajtur takim me operatorë ekonomikë përpara vendimeve për dhënie kontratash, gjë që është praktikë e pazakonshme. Po ashtu, ai akuzohet se nuk kishte vazhduar kontratat me tri kompani kosovare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale shpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit.

Fundamenti

Në vendimin të cilin e posedon “Gazeta Jeta në Kosovë”, Kolegji ndërkohë ka shpallur të papranueshme deklaratat e Haki Ejupit, ish-shefit të Inspektoratit Farmaceutik, të dhëna përpara prokurorit në datat 6 maj 2011 dhe 4 janar 2012.

“Ato veçohen nga dosja e lëndës, mbyllen dhe do të mbahen të ndara nga shkresat tjera dhe provat”, thuhet në vendim.

Ejupi në intervistat e tij kishte treguar se si ish-Sekretari Ilir Tolaj kishte dërguar e-maila tek ai në kërkim të dënimit të kompanisë “Jona Med”, të cilës i ishin shkëputur e anuluar kontrata dhe e cila e kishte ngritur këtë rast në drejtësi. Ejupi po ashtu kishte treguar për kërkesa të pazakonshme nga Doganat e Kosovës që produktet e “Jona Medit” të kontrolloheshin ende pa hyrë në vend dhe se pas kontrollimit ato kishin dalë në rregull. Ministria e Shëndetësisë pretendonte se këto barna ishin dëmtuar pasi kishin qëndruar një kohë në depo, në dogana.

Kryeinspektori kishte thënë në prokurori edhe se Ilir Tolaj ndikonte në vendimin e kontratave të tenderëve.

Aktakuza, që pret të konfirmohet ngarkon Ilir Tolajn, Arbenita Pajazitin, Nexhat Shabanin, Ismet Hysenin, Hajrullah Fejzën, Zenel Kuqin, Bekim Fushën, Alban Thaçin, Basri Asllanin, Imer Ajetin dhe Bujar Bukoshin për tentim dhe shpërdorim të detyrës zyrtare e autorizimit, keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrave, keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi, lidhje të kontratës së dëmshme, nxjerrje të kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, marrje ryshfeti dhe shmangie nga tatimi.