Bukoshi: PDK-LDK, alternativa e vetme

Njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bujar Bukoshi, duke komentuar koalicionin mes dy subjekteve më të mëdha politike, ka thënë se aktualisht nuk ka pasur alternativë tjetër pos koalicionit PDK-LDK, pasi pesë muaj vendi ishte përfshirë nga një krizë e thellë politike. Ai ka thënë se “gjithçka që është në të mirë të vendit, është e dobishme”.
Bukoshi mendon se koalicioni i arritur mes dy partive më të mëdha, PDK-LDK, ka ardhur si zgjidhja e vetme pas zhvillimeve të fundit.
“Ka një bazë më të gjerë. Vjen si rezultat i zhvillimeve të fundit, të cilat që të gjithë i kemi përcjellë. Dhe, kjo është zgjidhja e vetme alternative”, tha Bukoshi.
PDK dhe LDK, si dy partitë më potencën më të madhe politike në Kosovë, arritën marrëveshje në parim me datën 19 të këtij muaji që të formojnë institucionet e reja. Kështu, Isa Mustafa i dha fund koalicionit paszgjedhor me tri partitë tjera në Kosovë, AAK-në, Nismën dhe Vetëvendosjen.
Lidhja me PDK-në nuk u prit mirë nga disa deputet të LDK-së dhe po ashtu analistë të ndryshëm e cilësuan si hap të gabuar politik koalicionin e arritur, duke besuar se do të ndikojë negativisht në elektoratin e LDK-së.
Por, Bukoshi thotë për Politiko.net se është e vështirë të prognozohet se si do të ndikojë ky koalicion në elektoratin e LDK-së.
“Do ta shohim më pas. Gjithçka do të varet edhe nga vetë aktiviteti i LDK-së se si do ta menaxhojë këtë koalicion.
Gjithsesi është mjaft e vështirë ta parashoh qysh tash se si do të ndikojë. E kam të vështirë të jap prognoza të tilla”, tha ai. / Politiko.net/