UBT

Bukoshi: Ishte aksident

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Bujar Bukoshi e ka mbyllur betejën njëvjeçare duke u përballur me drejtësinë nën akuza për korrupsion. Ish-Ministri i Shëndetësisë, sot, është shpallur i pafajshëm nga gjyqtarët ndërkombëtarë nga të gjitha akuzat që e kanë rënduar.

Krejt këtë ballafaqim, Zëvendëskryeministri i liruar nga detyra e sheh si një aksident në punën e tij prej zyrtari qeveritar.

Në një intervistë për Gazetën Express, Bujar Bukoshi e pranon se është dëmtuar për shkak të akuzave, por nuk e drejton gishtin askund.

Ai thotë se do të vazhdojë të jetë në politikë, derisa nuk pranon të thotë asnjë fjalë për kthimin e mundshëm në Qeveri.

Express: Cili është qëndrimi juaj pas vendimit të sotëm të Gjykatës, ku ju u liruat si i pafajshëm nga akuzat e Prokurorisë?

B. Bukoshi: Përfundimin e këtij procesi e shoh edhe si përfundim logjik të këtyre punëve. Ju përkujtoj se në atë moment kur janë ngritur dyshimet dhe akuzat, kam dhënë dorëheqje dhe e kam pezullu funksionin tim në Qeveri me të vetmin qëllim që t’i hapet rruga drejtësisë, që drejtësia ta kryej punën e vetë. Për mua ka qenë shumë me rëndësi, që po ashtu edhe Qeveria të vazhdoj punën e vetë. Kjo është e para. E dyta, natyrisht ky ka qenë një proces, i cili natyrisht se më ka dëmtu. Ka qenë absolutisht e pakëndshme për mua, mirëpo, duke u nisur prej vendimit të sotëm, ku gjyqësia e ka dhënë fjalën e vet dhe Gjykata e ka marrë një vendim, ky përfundim ka qenë i mirë, për mua i pritur sepse unë prej fillimit e kam ndier vetën të pafajshëm. Është inkurajuese për mua që nga procesi i përfunduar sot janë parakushtet emira që në Kosovë drejtësia t’i siguroj qytetarët e Kosovës kanë siguri juridike pa marrë parasysh se a janë në poste apo s’janë. Pra, ligji duhet të bëj të vetën. Ky është komenti im.

Express: A keni arritur të merrni vesh se pse ndodhi gjithë ky proces njëvjeçar i ballafaqimit me drejtësinë?

Mobi Casa

B. Bukoshi: As që jam munduar ta marrë vesh, jo, nuk jam ngarkuar me atë. Ju e dini që edhe në institucione, edhe në shoqëri ngjajnë gjëra, të cilat nuk janë të këndshme për askënd. Mirëpo janë gjëra që ngjajnë. Mua më ka pas zënë belaja me një ushtrim relativisht të shkurtër kohor në Ministrinë e Shëndetësisë. Edhe unë prej momentit të parë, kur unë kam pasur një dyshim të bazuar se duhet ta denoncoj një fenomen, të cilin ka pasur indikacione se diçka nuk është në rregull, edhe kjo ka qenë. Kam denoncue që organet e drejtësisë dhe organet përkatëse të hedhin dritë në atë punë në Ministri dhe kjo ka qenë. E kam ndërgjegjen e pastër me sensin që t’i shërbej këtij vendi. Përsëri të kthehemi te pyetja juaj: pse, si, qysh – nuk e kam preokupim atë. Ka ndodhur çka ka ndodhur, për mua si aksident – domethënë me përshkru kështu popullorçe – ju sot e merrni veturën dhe niseni për Prizren me qëllimin më të mirë me e krye një punë, mirëpo në Grykë të Carralevës bën një aksident, e thyen një këmbë, e mbanë në gips nja tre katër muaj. Kjo është një episod, që ju ndodhin njerëzve me poste publike. Njerëzit duhet të llogarisin edhe këto sepse nuk shkon jeta vetëm duke u lavdëruar. Por, nganjëherë janë edhe dyshimet, edhe të tjerat që sot definitivisht janë treguar se këto dyshime, këto akuza, këto aktakuza janë treguar si të pabaza.

Express: E përmendet se jeni dëmtuar, a e dini se kush ju dëmtoi?

B. Bukoshi: S’mendoj se më ka dëmtuar dikush me qëllim. T’ju them menjëherë këtu se nuk ka ndonjë skenar të konspiracionit. Por, ka qenë një reflektim, perceptim i gabuar, perceptim selektiv i prokurorisë. Ajo e ka kryer punën e vet. Organet e drejtësisë e kanë kryer punën e vetë. Prapë, po e them, se ligji e ka dhënë verdiktin final.

Express: Pas këtij vendimi, cilët janë hapat e juaj sa i përket angazhimit në politikë?

B. Bukoshi: Për hapat e tjerë, t’ju them të drejtën, sot, nuk e kam preokupim. Për hapat e tjerë ju do të më telefononi, edhe do të informoheni me kohë. Ju e dini se asnjëherë nuk u jam shmangur mediave ose prononcimeve të mia. Kredoja ime jetësore është që t’i shërbej këtij vendi. A po dimë me i shërbye mirë apo jo bash mirë është çështje, e cila duhet të vlerësohet edhe prej publikut, edhe prej qytetarëve të Kosovës, edhe prej institucioneve. Nuk është puna e ime që tash të tentoj të bëj ndonjë far kapitali me këtë apo diçka tjetër.

Express: A mund ta shohim ish-Kryeministrin e Kosovës përsëri në postin e Zëvendëskryeministrit?

B. Bukoshi: Unë jam në politikë dhe ju e dini, edhe nuk heq dorë nga shërbimi për vendin. A do të shërbej si kështu apo ashtu; në funksion apo pa funksion apo vetëm si një qytetar i thjeshtë i Kosovës, ajo për mua është më pak relevante. Ju siguroj se nuk e kam pasur dhe nuk e kam atë obsesion ose atë motivim për poste. Postet janë gjëra me të cilat unë nuk bie dhe zgjohem nga gjumi si ta bëj një post.