RCCOLA

Bujqësia, prioritet i Komunës së Kamenicës

/ 4 minuta lexim

Drejtori për Bujqësi dhe Pylltari në Kamenicë, Gani Sadiku, ka deklaruar në një intervistë për radion Premiera, se sektori i bujqësisë, ka qenë dhe mbetet ndër prioritetet kryesore të udhëheqjes komunale.

Në kuadër të projektit “Promovimi i komunës së Kamenicës”, Gani Sadiku, ka folur për gjendjen në bujqësinë e Kamenicës, buxhetin dhe mbështetjen e buqve dhe fermerëve, gjendjen e pyjeve dhe përpjekjet për stimulimin e popullatës për tu marrë me bujqësi.

“Komuna, nga buxheti vetanak ka ndarë disa makina mjelëse për 60 fermerë të komunës së Kamenicës, në këtë mënyrë sado pak e kemi zbutë nevojën e fermerëve. Gjithashtu, edhe për këtë vit do të ndahen makina të tilla, kësaj radhe do të reduktohet kriteri i lopëve, do të shkohet nga pesë në tri. Këtë vit, kemi pajisur fermerët me rrethoja dhe shtylla për pemë, ku kanë përfituar pothuaj të gjithë ata që kanë aplikuar”, ka bërë të ditur Sadiku.

Ai ka thënë më tej se, që nga themelimi i drejtorisë së Bujqësisë, kryetari i Komunës, Shaip Surdulli, ka kërkuar të ketë qasje dhe kontakte direkte me fermerët. “Kryetari, por edhe drejtues të tjerë të komunës, i kanë dhënë prioritet mjaft të madh bujqësisë, duke patur parasysh faktin se kemi një hapësirë të madhe të sipërfaqeve bujqësore si Komunë. Ne si drejtori mundohemi që, me mjetet në dispozicion t’i ndihmojmë gjithmonë fermerët.

Posaçërisht me këshilla. Buxheti për bujqësi është paraparë të jetë 30 mijë euro për vitin e ardhshëm, dhe do të mundohemi që të subvencionojmë çdo bujk e fermer. Një pjesë të madhe të subvencioneve e ka edhe Ministria e Bujqësisë, si në pemëtari e blegtori”. Drejtori Gani Sadiku, ka folur edhe për gjendjen e e pyjeve, të cilën e ka vlerësuar më të mirë se vitet e kaluara.

Mobi Casa

“Gjendja e pyjeve nuk është e keqe. Me bartjen e kompetencave në nivelin komunal, shihen qartë rezultatet. Ankesat kryesore i kemi në Agjensionin Pyjor të Kosovës. Ligji për pyjet ka hyrë në fuqi qe një vit e gjysmë, dhe Agjensioni Pyyjor i Kosovës akoma nuk i ka pajisë me armë dhe çekanë të rinj pylltarët, çka është e paraparë me ligj. Mirëpo, çka është edhe më skandaloze APK-ja nuk ia kthen 30 përqindëshin Komunës prej të hyrave, që është e paraparë me ligj”. Ai ka bërë krahasime me vitet e kaluara dhe ka folur edhe për kërkesat e shumta për prerje pyjesh.

“Në krahasim me vitet e kaluara, këtë vit gjendja e pyjeve është shumë e mirë. Janë diku 1 mijë e 100 kërkesa për prerjen e pyjeve private. Sektori i pylltarisë, mund të them se është jashtëzakonisht i ngarkuar. Me një numër solid të punëtorëve, është pothuaj e pamundur t’iu kthehet me kohë përgjigja çdo pale”. Ka pasur raste të kërcënimit dhe sulmeve të pylltarëve, ka theksuar më tej, Sadiku, por rasti i fundit ka qenë vërtetë i rëndë. Unë falënderoj Policinë e Kamenicës, e cila ka bërë një punë shumë të mirë, ka arrestuar sulmuesit dhe i ka vendos prapa grilave.

Dhe shpresoj që drejtësia do ta thotë fjalën e vet, është shprehur ai. “Gjykata për Kundërvajtje punon jashtëzakonisht mirë. Por me Gjykatën Komunale nuk jam i kënaqur, për shkak se zbaton një limit shumë të ulët. Bashkëpunimi me Policinë, që nga emërimi i komandantit të ri, është jashtëzakonisht i mirë. Këtë vit, janë konfiskuar rreth 100 metra kub dru.

Ne nuk jemi të interesuar të bëjmë asnjë konfiskim, por dëshirojmë që të vetëdijesohen qytetarët. Nuk është dëshirë e institucioneve që të konfiskojmë masë drusore. Sidomos këtë vit, kemi vërejtur një vetëdijesim të pajisjes me letra të qytetarëve”, tha ndër të tjera drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë në Kamenicë, Gani Sadiku, në intervistën për radion Premiera./rajonipress/