RCCOLA

Bujqësia është avancuar në prioritetin e dytë në Gjilan

/ 6 minuta lexim

Gjilan – Bujqësia në komunën e Gjilanit, është avancuar në prioritetin e dytë për sa u përket investimeve, menjëherë pas arsimit, prandaj edhe interesimi i qytetarëve për t`u marrë me këtë degë të ekonomisë, është në rritje të vazhdueshme, ka thënë Nazmi Rapuca, drejtor për Bujqësi dhe Pylltari, në një takim të Komitetit për Zhvillim Ekonomik.

Sipas tij, sivjet, investimet e përgjithshme në bujqësi do të arrijnë deri në një milion euro, ndërkohë që vetëm komuna e Gjilanit ka planifikuar 150 mijë euro për këtë sektor. Fillimi është i mbarë, ka thënë Rapuca.

Në mbjelljen e misrit, 250 fermerë kanë përfituar tërë sasinë e farës dhe plehut artificial. Me foli plastike janë ndihmuar 108 fermerë, që kultivojnë perime në sera. Në përfundim e sipër është projekti për bletari, ku do të mbështeten rreth 60 bletarë me nga 3-4 shtëpiza.

Ndërkohë po vazhdon pranimi i aplikacioneve për subvencionet që ndan Ministria e Bujqësisë. Deri më tani kemi pranuar 500 aplikacione nga fermerët që kultivojnë misër, bletë, lopë qumështore dhe kafshë të imëta.

Më se 50 fermerëve u janë përgatitur projektet për grante që jep MB, për ngritjen e stallave të reja, serave dhe pemishteve. Vlera e përgjithshme e aplikacioneve të dorëzuara për subvencione dhe grante arrin shumën rreth 1.000.000 €.

Gjatë muajve të ardhshëm do të realizohen edhe projekti për makina mjelëse, në participim me fermerët, ku planifikohet të jepen rreth 65 sosh, do të vazhdohet me projektin për sera, ku do të ndihmohen rreth 15 fermerë, me projektin për fidanë të pemëve, ku 10 mijë fermerë të interesuar do të përfitojnë fidanë falas, me projekti për mbjelljen e grurit, ku fermerët me kushte të rënda ekonomike, do të ndihmohen me farë dhe pleh artificial.

Me Ministrinë e Bujqësisë do të realizohet projekti për subvencionimin ne naftës për autokombajnerët që do të marrin pjesë në korrje-shirje, sikurse edhe projekti për mbjelljen e grurit. Kurse në bashkëpunim me Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe Komunën e Parteshit do të realizohet një projekt në vlerë prej 75.000 €, që ka të bëjë me dhënien e kultivatorëve, serave dhe makinave për spërkatjen e kulturave bujqësore.

Projekte tjera do të realizohen në bashkëpunim me donatorët. Me Karitasin, në fshatrat Kishnapole, Gadish dhe Sllakoc do të realizohet një projekt prej 70.000 për furnizimin e fermerëve të kësaj ane me dele dhe bletë.

Në bashkëfinancim me Karitasin dhe me participim të fermerëve, do të realizohet edhe një projekt tjetër që ka të bëjë me furnizimin e bletarëve me shoqëri të reja, ku rreth 25 bletarë do të fitojnë nga 10 shoqëri të reja të bletëve.

UBT

Në bashkëfinancim me organizatën Heifer Kosova do të sjellim edhe 70 dhi, të cilat do t`iu shpërndahen familjeve skamnore, ka thënë Rapuca. Këtë vit, nga pasimi i dhuratës do të përfitojnë do të ndahen për fermerët tjerë 6 mështjerra dhe 40 dhi.

Rapuca është optimist se deri në fund të vitit, do të ketë edhe ndonjë donacion tjetër. Këto ditë janë duke përgatitur projektet për disa fermerë, të cilët do të aplikuar në ftesën e Komisionit Evropian për grande.

Jemi të vetëdijshëm se nevojat e fermerëve janë shumë më të mëdha sesa mundësitë tona, por shpeshherë i tejkalojmë mundësitë tona për t`u dalë në ndihmë bujqve, ka thënë Rapuca, duke nënvizuar se çdo vit, fondet për bujqësi po rriten si në nivelin lokal, ashtu edhe në atë qendror, ndërsa bujqësia po radhitet ndër prioritetet e para të institucioneve tona.

Për më tepër, duke folur për angazhimet e drejtorisë së Bujqësisë gjatë këtij vitit, ai ka thënë se është në përfundim e sipër realizimi i fazës së dytë të projektit për drunjtë dekorativë. Deri me tani janë mbjellë mbi 700 drunj dekorativ. Të gjithë drunjtë e tharë, janë duke u zëvendësuar nga kompania që ka fituar tenderin dhe garanton suksesin e tyre për dy vite pas mbjelljes.

Por, sipas tij, për shkak të mungesës së hapësirës së mjaftueshme përgjatë rrugëve të qytetit dhe instalimeve nëntokësore, nuk do të mund të mbillet gjithë sasia e planifikuar prej 3700 drurësh, megjithëse Rapuca ka thënë se do të shfrytëzohen të gjitha hapësirat për të rritur numrin e drurëve dekorativë në qytet.

Rezultate inkurajuese janë arritur edhe në sektorin e pylltarisë. Sivjet ka pasur vetëm 16 raste të konfiskimit të druve dhe 130 fletëparaqitje. Kemi filluar me dhënien e lejeve për prerje të pyjeve private, ndërsa është dhënë tenderi për prerjen e rreth 3000 m/3 dru në pyjet publike, ka thënë Rapuca, derisa ka përsëritur vendosmërinë për të qenë të pa kompromis ndaj prerësve ilegalë të pyjeve.

Sa i përket fletëparaqitjeve për dëmtimin e pyjeve, numri i të cilëve ka shënuar rënie, Rapuca ka thënë se rëndësi të madhe i kanë kushtuar parandalimit të prerjes ilegale të pyjeve dhe jo dërgimit në gjykata të atyre që dëmtojnë pyjet dhe kjo metodë e punës ka rezultuar mjaft efikase, por ka nënvizuar faktin se raste të tilla procedohen çdo ditë në gjykata dhe ka edhe persona që janë dënuar deri në pesë vjet për dëmtim të pyjeve.

Drejtoria e Bujqësisë ka marrë përkrahje për punën e saj edhe nga Komiteti për Zhvillim Ekonomik, ku Rapuca ka paraqitur këtë informatë dhe është përgjigjur edhe në pyetjet e kryesuesit të këtij Komiteti, Burhan Selmani si dhe të anëtarëve të tij, për projektet në bujqësi, investimet, mbjelljen e drurëve dekorativë dhe rregullimin e trotuareve, për mbrojtjen e pyjeve dhe të tjera. Rregullimin e trotuareve në pjesët ku mbillen drurët dekorativë e bën kompania përfituese, por tani ajo po merret me prioritet me mbëltimin, ka thënë Rapuca./rajonipress/