Bujar Salihu krijues i vlerave evropiane

Gjilan – Bujar Salihu është një nga krijuesit më cilësor të brezit të ri i cili poezinë e ndërton, e bashkëndien dhe e përçon tek lexuesi i tij në mënyrën më profesionale. Erdhi enkas nga Zvicra për ta nderuar “Vjeshtën Letrare” dhe bashkëvendësit e tij. U thanë fjalët më të mira nga Sabit Rrustemi, Faik Shkodra, Arsim Halili e Nexhat Rexha. Poezia e Bujar Salihut është reale, goditëse dhe me mesazhe tejet optimiste.
Bujar Salihu e la Zvicrën për pak kohë për të marrë pjesë në takimet e “Vjeshtës Letrare”. Janë të rrallë krijuesit si Bujari që me aq pasion e dashuri e përjetojnë poezinë.
Bujar Salihu më mirë se çdo kush tjetër nga brezi e tij e kupton rolin e poezisë. Dhe nga ky fakt ai ka ndërtuar një karrierë shumë të pasur prej krijuesit dhe tashmë nuk është asgjë e rastësishme që poezitë e tij po gjejnë vend edhe në shumë gjuhë të huaja të botës.
Të shtunën në Gjilan në kuadër të “Vjështës Letrare” u pasqyrua gjerë e gjatë vepra letrare e Bujar Salihut. Kishte shumë adhurues, krijues nga Kosova e Shqipëria e Kosova Lindore që deshën ta dëgjojnë live poezinë e Bujarit, që me aq admirim e pasion e shkruan dhe ua transmeton të tjerëve.
Organizatori Sabit Rrustemi tha se Bujar Salihu është pjesë e brezit letrar të viteve nëntëdhjeta, i cilësuar atë kohë si brezi më i ri krijues.
Bujar Salihu, i lindur më 1972 në Pogragjë, në letrar shqipe shfaqet më 1994 dhe atë nga alpet zvicerane, përmes librit poetik dy gjuhësh, shqip e frengjisht, “Në xipat e vetmisë”. Në Kosovën e asaj kohe të vlimshme e të ankthshme, në hapësirat e pakta të kronikave kulturore, do jepej vetëm si lajm.
Protagonisti i kësaj vetmie, të përjetuar edhe brenda lëkurës së tij, meqenëse ishte shtrënguar t’i braktis studimet po edhe Kosovën, shkaku i rrethanave të kohës, pas tri viteve, do ta shfaqet, tash përmes Redaksisë së botimeve RILINDJA në Prishtinë, me një vepër tjetër të re dhe, shumë më të kompletuar, me titull bukur shenjëzues: MË PAK SE JETË shtoj Rrustemi.
Por, një vend që ndodhej në prag të shpërthimit të një lufteje që nuk evitohej, nuk kish kohë të merrej dhe aq me libra, e, aq më pak, me libra poezish…
Ndërkohë që, Bujar Salihu, me një grup atdhetarësh në Zvicër, përpiqeshin dendur që, përveç veprimtarive humanitare, mobilizuese, të mos e lenin anash as veprimtarinë kulturore, përmes Bashkësisë Kulturore të shqiptarëve në Zvicër, duke dëshmuar nga një vend perëndimor dhe, shumë i kulturuar se, shqiptarët, kudo që janë, përpiqen për t’ mos e harruar por, edhe për ta zhvilluar kulturën e tyre.
Vitet do ecin. Kosova do fitojë lirinë si dhe poeti ynë, mundësinë e kthimit në atdhe.
Dhe, ashtu, siç e përmbylli simbolikisht një shekull me një titull shumë simbolik Më PAK SE JETË, që thua se i adresohej pikërisht atij shekulli që lam pas, Ai, shekullin e ri, shekullin e njëzeetenjë, do ta pres, po me një vepër të re.
“SKELETI I DALLËNDYSHES” u botua si libër i tretë i tij, po në Prishtinë, nga Shtëpia Botuese ROZAFA dhe,realisht shpërfaqi shumë më bujshëm, talentin e tij prej poeti, i cili, deri atë kohë, po edhe më pas, ishte pjesë e shumë veprimtarive letrare, të konkurseve shpërblyese po, edhe fitues i tyre, qoftë brenda apo dhe jashtë Kosovës. Madje edhe i përfshirë në disa antologji dhe, i përkthyer në disa gjuhë.
Në Gjilan, përkundër këtyre tri veprave, pak krijues apo lexues, e njihnin Bujarin si poet.
Në vitin 2012, në 100 Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, përmes një projekti letrar të Ars Clubit “Beqir Musliu”, u përfshi në përzgjedhjen poetike “PARNASI ME AROMË GJILANI” dhe, u përafrua më shumë me një plejadë krijuesish.
Nga viti 1994 e deri te ky vit, pra viti 2014 , realisht ishin 20 vite krijimtari letrare të Bujar Salihut, Ars Clubi “Beqir Musliu”, përmes këtij Manifestimi tashmë tradicional, “Vjeshta letrare e Gjilanit”, vendosi ta ketë temë trajtimi pikërisht portretin letrar, krijues të Bujar Salihut.
Kuptohet, për ta vlerësuar përmes vështrimeve nga njerëz përgjegjës të kësaj fushe po, edhe përmes kësaj shprushjeje për ta shpërfaqur më hapur veprën e tij para lexuesit, duke përcjellur dhe një porosi te autori: është radha e veprës sate të katërt tha Sabit Rrustemi.
Për poezitë e Bujar Salihut foli edhe Faik Shkodra i cili e quajti krijues të talentuar me një botë të madhe shpirtërore e imagjinatave. Shkodra tha se Bujari të sotmen e ballafaqon me të nesërmen dhe të gjitha poezitë e tij përshkruhen nga një nivel i lartë stilistik.
Bujari tha Shkodra shkruan për ferrin, sfidat, dashurinë dhe ka një dell poetik që rrallëkush mund ta ketë.”Këto vlera të poezive të tij e bëjnë më jetësore krijimtarinë e tij” tha Shkodra.
Edhe Arsim Halili krijues nga Kosova Lindore tha se Bujari nuk është krijues i shabllonizuar.
Kurse vet autori Bujar Salihu tha se poezia nuk donë shumë fjalë. Salihu tha se krijimtaria e tij është ndërtuar falë brezave të vjetër e krijuesve të rinj nga të cilët ka mësuar shumë.
Salihu ka falënderuar të gjithë ata që në forma të ndryshme e ndihmuan në rrugëtimin e tij krijues./rajonipress/