Fundamenti

Bujar Nevzati ngre shqetësimet e qytetarëve në Kuvendin Komunal: Adresat, dëmet nga vërshimet dhe projektet e bllokuara në fokus

/ 2 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Këshilltari komunal Bujar Nevzati ka ngritur një sërë shqetësimesh gjatë mbledhjes së Kuvendit Komunal, duke adresuar çështje që, sipas tij, po preokupojnë qytetarët dhe po mbesin pa zgjidhje nga institucionet lokale.

Në fjalën e tij, Nevzati kërkoi sqarime lidhur me vonesat në ndarjen e numrave të adresave për qytetarët, duke pyetur pse po vazhdon zvarritja e këtij procesi, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të banorëve.

Ai ngriti shqetësim edhe për trajtimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit, duke theksuar se qytetarët dhe bizneset kanë pësuar humbje të konsiderueshme materiale. Sipas tij, megjithëse ishte formuar një komision për vlerësimin e dëmeve, të dëmtuarit nuk po marrin mbështetjen e premtuar, me arsyetimin se mungon kontrata me operatorë për realizimin e punimeve.

Në seancë u diskutua edhe për projektin e shumëpërfolur “Bulevardi i Qytetit”, për të cilin Nevzati kërkoi të dihet pse ende nuk kanë nisur punimet.

Eco Higjiena

Po ashtu, ai kërkoi largimin e mbrojtëseve të drunjve dekorativë në pjesë të ndryshme të qytetit, duke vlerësuar se ato tashmë po pengojnë dhe po dëmtojnë drunjtë.

Një tjetër çështje e ngritur ishte edhe vonesa në shpalljen e konkursit në Drejtorinë e Shëndetësisë për punëtorët shëndetësorë.

Nevzati rikujtoi deklarimin e bërë në seancën paraprake nga drejtoresha përkatëse se konkursi do të hapej “brenda 3-4 ditësh”, ndërsa deri më tani kjo nuk ka ndodhur./rajonipress/