ARKATANA

Bujanoc: Sheshi i Tolerancës

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Para 24 vjetësh, pikërisht, në vitin 1991, kuvendi i atëhershëm komunal i Bujanocit, me vendim të njëanshëm dhe jocivilizuese, ndërroi emrin e sheshit të qytetit nga “Mareshali Tito”, në “”Sheshi i Karaxhorgjit” (Karaxhorgje Petroviq). Po, në të njëjtin vit 1991, në qendër të qytetit të Bujanocit, me ekskavator u shemb për tokë përmendorja e ”Mareshalit Tito”, me peshë 4 ton mermer, për të përfunduar në strumbullarin e mbeturinave në periferi të qytetit.

Ky diskriminim i hapur dhe ekstrem, vazhdoi edhe me zëvendësimin e emrave të rrugëve dhe institucioneve, nga personalitete jugosllave në atë vetëm serbe dhe me alfabet cirilik.
Kështu, emri i rrugës ”Boris Kidriq”, u shndërrua në ”Vuk Karagjigj”, ”Rruga e Kosovës” në ”Kosmetska”, ”29 Nëntori”, në ”Car Lazara”, ”Rruga e Vardarit” në ”Mbreti Milutin”, ”7 Shtatori” në ”Jovan Cvijiq” e kështu me radhë.

Nga të gjitha këto emërtime nuk u gjet asnjë personalitet i kulturës shqiptare a dihet fare mirë se pjesa më e madhe e popullatës është e përkatësisë nacionale shqiptare.

Kultura shqiptare, gjatë sundimit të pushtetit të dikurshëm, përjetoi një diskriminim institucional ekstrem dhe primitiv.

Ky diskriminim po vazhdon edhe sot, pas 24 vjetësh, pikërisht, në një pushtet, ndonëse multietnik, por të qeverisur nga shumica shqiptare.

As, pas 13 vjet të pushtetit multietnik në Bujanoc, nuk u gjet një ”modus vivendi” për t’i dhënë fund një padrejtësie, që shqiptarët e kanë bartur mbi kurriz për shumë vjet.

Gati në fund të vitit 2014, Këshilli dhe Kuvendni Komunal i Bujanocit, mori një vendim për korrigjimin e emërtimeve të këtyre rrugëve dhe sheshit.

Komisioni multietnik për ndryshimin e emrave të rrugëve e shesheve pranë Komunës së Bujanocit, katër shqiptarë dhe tre serb, në mbledhjen e saj të fundit, ”përveç dakordimit për ndryshimin e 22 emrave të rrugëve, ka shqyrtuar edhe emrat e propozuar që mund të jenë të përshtatshëm për sheshin kryesor në Bujanoc”.

Uji Dea

Emrat e përfolur për qytetin e Bujanocit janë: Sheshi “Karaxhorgje Petroviq”, nga pala serbe dhe sheshi “Skënderbeu”, nga pala shqiptare, me një emërtim alternativë si dhe propozimi i tretë “Sheshi i Tolerancës”.

Këto propozime do të dalin në votim në seancën e radhës të Këshillit Komunal dhe Kuvendit Komunal të Bujanocit.

Meqenëse lejen për ndërrimin e rrugëve e jep Ministria e Administratës shtetërore të Serbisë, që tashti dihet se si do ta mbaj emrin qyteti i Bujancit: “Sheshi i Tolerancës”.

Me një vendim, që do të marrë ministria përkatëse, për propozimin e emërtimeve të rrugëve, pushojë iluzionet e serbëve lokalë, që edhe më tej ta mbajnë emrin e ”Karaxhorgje Petroviqin”, po ashtu edhe shqiptarët do të pushojnë nga kërkesat e vazhdueshme, që në qendër të Bujanocit ta vendosin përmendoren e Skënderbeut si në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.

”Sheshi i Tolerancës”, si një model i kapshëm për të gjitha palët, do të vij, këtë vit, 2015, dhe i cili po vendoset në një shesh të restauruar, duke shkatërruar gjurmët e kalldërmit, vlerat e një trashëgime kulture, për të cilat për çudi nuk bënë “gëk” as “mëk”, qytetarët e tri etnive.

Kështu e ka politika e të fortit e kujtuar nga thënia popullore: ”Lidhe kalin ku të thotë zotnia!”./rajonipress/

Shoqëria Civile ”Perspektiva”, në Bujanoc