KKVITI

Buja: Limaj e Krasniqi po “vetëdigjen”!

/ 6 minuta lexim

Largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit nga Partia Demokratike e Kosovës do të jetë fundi i karrierës së tyre politike, ngase, përveçse në PDK, ata s’mund të kenë sukses në asnjë subjekt tjetër politik.

Kështu konsideron njëri nga anëtarët e kryesisë së PDK-së, Ramë Buja, i cili gjatë një interviste për “Zëri” nuk e ka cilësuar si të mençur largimin e Limajt dhe Krasniqit nga partia. “Ata largohen, por PDK-ja nuk dëmtohet”, deklaroi Buja, i cili shprehet i bindur se Iniciativa Qytetare për Malishevën, që e ka përkrahjen e Limajt dhe ajo për Drenasin, që përkrahet nga Krasniqi, nuk do të arrijnë ta sfidojnë pushtetin e “partisë amë”.

Ministri i Arsimit ka folur edhe për deklarimin e tij se “arsimi po ecën majave”.

Ai e mbron këtë qëndrim, por nënvizon se arsimi s’ka arritur në maje, por është rrugës tek “majat” ndërsa nuk pranon se arsimi ka hyrë “përroit”.

Për ta rritur vullnetin për t’i studiuar shkencat ekzakte, ministri i Arsimit thotë se e ka marrë iniciativën për formimin e një gjimnazi matematikor në Prishtinë, ku do të shkollohen vetëm fëmijët që kanë nivel të lartë të inteligjencës.

Fakti se ligjëron në një universitet privat, për Bujën nuk paraqet konflikt interesi, por vetëm “ruajtje të zanatit të profesorit”, ndërsa fakti se qeveritarët i shkollojnë fëmijët në arsimin privat e jo publik, për të nënkupton se po respektohet vullneti i fëmijëve.

Zëri: Z. ministër, para disa javëve deklaruat se arsimi po ecën majave. Kjo deklaratë e juaja nxiti reagime, madje edhe nga deputeti i PDK-së, Berat Buzhala. A jeni tërhequr nga ky qëndrim, apo vazhdoni ta mbani atë?

Buja: Ajo është interpretuar si kanë dashur secili në formën e vet. Unë e kam thënë me plotë përgjegjësi që arsimi ynë po shkon drejt majave, por nuk kam thënë se e ka arritur majën.

Dhe nuk besoj se ka një vlerësim diku në botë që dikush nga ministrat ku do mund të thotë që arsimi i ka arritur majat, sepse reformat, lëvizjet, vlerat, ndryshojnë me kohën. Dhe, këtë e kam thënë në kuptimin e asaj që ne seriozisht në shumëçka i kemi kaluar vendet e rajonit.

E them me plotë përgjegjësi, edhe Serbinë, edhe Malin e Zi, edhe Maqedoninë, edhe Shqipërinë në shumëçka, bile-bile, edhe ndonjë vend të Bashkimit Evropian që është afër nesh, në disa segmente e kemi tejkaluar. Por a jemi aty ku dëshirojmë, akoma jemi larg së dëshiruarës.

Uji Dea

Por, ka avancuar arsimi në Kosovë, duke u nisur nga elementarja, nga mësuesit tanë. I kemi afër njëzetekatër mijë mësues që nuk duam t’i lëmë më mësues me shkollë të lartë, por edhe atyre iu kemi krijuar mundësi që t’i bëjmë me fakultet, dhe po i bëjmë, nëntëmbëdhjetë mijë e më shumë i kemi bërë tani më, dhe e kemi pjesën tjetër që do ta realizojmë këtë vit që do të vijë. Dhe, jemi në proces po kështu të mësuesve me teknologjinë informative, që akoma nuk kemi arritur anën teknike të shkollave, por mësuesit janë certifikuar dhe kanë marrë njohuri për këtë gjë.

Tjetra gjë që kemi bërë, dhe na ka nisur shumë mbarë, është vendimi për reformën e Fakultetit të Edukimit konform fakulteteve më prestigjioze që ka Evropa dhe bota, duke punuar një vit në atë qasje edhe me ekspert ndërkombëtar edhe vendor.

Dhe është pranuar shumë mirë në Universitet të Prishtinës, sepse, ju siç e dini Fakulteti i Edukimit është, thënë kushtimisht, pronë e qeverisë dhe shtetit, dhe e administron shteti ekskluzivisht.

Tashmë nuk do të ketë më në Universitetin e Prishtinës duplifikim. Nuk do të ketë më gjeograf në drejtimin e Gjeografisë, edhe Gjeografi përsëri në edukim, ose andej Fizikë dhe Fizikë në edukim. Do të kryejë secili student tri vjet në studimet shkencore, ta quaj kështu, në fakultetin bazë të Fizikës, dhe nëse dëshiron të bëhet pedagog, mësues, ai do të bëjë dy vite në Fakultet të Edukimit, në metodikë dhe pedagogji, për të ditur se çfarë është mësuesia dhe për të qenë master i mësuesisë.

Jakup Krasniqi kritikon shkollën që e ka kryer vetë

Zëri: Edhe kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka shprehur vërejtje për arsimin. Ai para një kohe deklaroi se në Kosovë po krijohen analfabetë me diplomë?

Buja: Unë e kam mik edhe shok, edhe të luftës edhe të burgut, Jakup Krasniqin. Tash e kam koleg të politikës, por më vjen keq për këtë deklarim.

Unë besoj që kur e ka thënë nuk ka qenë bash i disponuar mirë, sepse, edhe ai e ka përfunduar këtë shkollë, tërë ciklet e shkollës i ka përfunduar në këtë shkollë të Kosovës, edhe fëmijët e tij po kështu këtë shkollë të Kosovës, dhe natyrisht se edhe mund të ketë lajthitje në tërë këtë armatë të madhe, por të thuhet, kështu, edhe kështu të cilësohet arsimi, unë besoj se nuk e ka pasur seriozisht këtë gjë.

Zëri: Por, ekziston një bindje se arsimi ka degraduar shumë prej përfundimit të luftës e tutje. Kush e mban përgjegjësinë për këtë situatë?

Buja: Unë nuk them se ka degraduar, por se ka filluar një reformë e natyrës tjetër nga ajo e mënyrë e mësimit që ka pasur dikur në ish-sistemin, dhe kjo i ka pasur vështirësitë e veta dhe sfidat e veta. Por që ka degraduar nuk mund të them, sepse, siç e dinim unë jam pedagog dhe kam pasur mundësi të shoh gjenerata e gjenerata se si janë. Është e vërtetë, që për shembull, çështja e disiplinës na çalon, për shkak të një logjike të veprimit më ndryshe se që ka qenë dikur. Çështja e qasjes studimore po kështu lë për të dëshiruar për faktin që edhe nxënësit edhe studentët lexojnë pak libra, por megjithatë, nëse themi se ku është nxënësi ose studenti i dikurshëm, dhe ku është sot, me informacionet e përgjithshme, dallimi është tepër i madh, dhe pozitiv për sot./Zëri/