Bugajski: Asociacioni është bombë me sahat, recetë për mosmarrëveshje

Për Janusz Bugajskin, gazetarin dhe njohësin e dinamikave në Ballkanin Perëndimor, me përvojë shumëvjeçare si konsulent për çështje të Evropës Lindore në organizata të ndryshme amerikane dhe agjenci qeveritare, përshirë USAID e Departamentin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është e qartë se Administrata e re Amerikane në krye me, Joe Biden, nuk është aq sa duhej të ishte e angazhuar në Ballkanin Perëndimor.

“Fatkeqësisht, administrata Bideni nuk është mjaft e angazhuar në rajon dhe ndoshta nuk e kupton plotësisht se mund të rrëshqasë sërish drejt konfliktit të armatosur nëse i lihet BE-së për ta menaxhuar”, ka thënë Bugajski në një intervistë ekskluzive për Albanian Post.

Në vizitën e tij të fundit në Kosovë, i deleguari special i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, pati një kërkesë të qartë – Kosova duhet të nis në mënyrë imidiate bisedimet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Megjithatë ai dha garanci amerikane se Asociacioni assesi nuk do të jetë një Republika Srpska, siç i druhet skena politike kosovare.

Prandaj autori i më shumë se 20 librave dhe anëtari i Lartë në Fondacionin Jamestown, Bugajski, shtjellon më tej për Albanian Post se çdo organ administrativ me bazë etnike ose fetare brenda Kosovës është një “recetë” për mosmarrëveshje, sidomos një ‘vrimë’ ku mund të futet ndikimi malinjë i Rusisë përmes Serbisë.

“BE-ja dhe SHBA-ja do të ishin ‘të marrë’ të vendosnin një tjetër bombë me sahat në Kosovë pas gabimit që bënë duke krijuar entitete me bazë etnike në Bosnje-Hercegovinë”, shton më tej ai.

Sipas kornizës së re të dialogut, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Megjithatë për Bugajskin, plani franko-gjerman, është shumë i kufizuar për të siguruar normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përmes njohjes reciproke.

Intervista e plotë:

Dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë të re shumë më dinamike pas propozimit franko-gjerman, a keni parë ju propozimin në fjalë? A mendoni se një plan i tillë mund të zgjidh kontestin në mes të dy vendeve?

Bugajski: Propozimi franko-gjerman i përditësuar, por i pazbuluar do të ketë kilometrazh të kufizuar nëse nuk shoqërohet me orare, stimuj dhe mekanizma zbatues për njohjen e ndërsjellë ndërshtetërore. Fakti që propozimi nuk është bërë publik ka krijuar edhe më shumë probleme që secila palë të interpretojë përmbajtjen e saj në mënyra të ndryshme dhe të mos jetë dakord për qëllimet e saj. Në versionin që kam parë, propozimi është shumë i kufizuar për të siguruar “normalizimin” përmes njohjes reciproke dhe mbetet shumë i paqartë për shtetësinë e Kosovës dhe rëndësinë e saj për sigurinë rajonale dhe zhvillimin ekonomik.

Veriu i Kosovës muajve të fundit është shndërruar në një arenë ku Kosova dhe Serbia po peshojnë forcat e tyre. Sipas jush cili do të ishte zgjidhja më ideale për këtë pjesë të vendit rrjedhimisht për komunitetin serb në Kosovë, krijimi i Asociacionit apo korrigjimi i kufijve, dhe pse?

Bugajski: Kosova duhet të fokusohet në decentralizimin dhe vendimmarrjen lokale për të menaxhuar çështjet komunale. Plus, grupi i plotë i të drejtave kolektive etnike në gjuhë, arsim, kulturë, simbolikë dhe rituale fetare është i rëndësishëm për serbët dhe kombësitë e tjera në Kosovë. Megjithatë, krijimi i çdo organi administrativ me bazë etnike ose fetare brenda vendit është një “recetë” për mosmarrëveshje, konflikte dhe manipulime të huaja nga Serbia dhe Rusia. BE-ja dhe SHBA-ja do të ishin të marrë të vendosnin një tjetër bombë me sahat në Kosovë pas gabimit që bënë duke krijuar entitete me bazë etnike në Bosnje-Hercegovinë.

Partitë opozitare në Kosovë po nënvizojnë faktin se pa pjesëmarrjen direkte të SHBA-ve në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, çështja ndërmjet dy vendeve nuk mund të ketë epilog. Në këtë kontekst si e shihni ju rolin e BE-së në raport me dialogun dhe a mendoni se duhet të ketë një përfshirje të drejtpërdrejtë të SHBA-ve në këtë proces?

Bugajski: BE-ja shpenzon shumicën e kohës duke u përpjekur të qetësojë konfliktet e krijuara nga Beogradi. Vuçiç ka mësuar se si ta manipulojë BE-në në avantazhin e tij duke e larguar vëmendjen nga problemi thelbësor – mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga Serbia. Ai e portretizon Prishtinën si fajtore dhe manipulon zbutjen diplomatike të BE-së ndaj Beogradit. Fatkeqësisht, administrata Biden nuk është mjaft e angazhuar në rajon dhe ndoshta nuk e kupton plotësisht se mund të rrëshqasë sërish drejt konfliktit të armatosur nëse i lihet BE-së për ta menaxhuar. Për fat të mirë, prania e NATO-s do të sigurojë që Serbia të mos ketë sukses në asnjë konfrontim ushtarak. Megjithatë, pa angazhimin e plotë të Uashingtonit në nxitjen e njohjes reciproke, nuk do të ketë zgjidhje përfundimtare.

Si e shini ju rolin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. A ka forcë ajo ta destabilizojë Ballkanin Perëndimor ndërsa po lufton në Ukrainë, nëse po si mund ta bëjë një gjë të tillë?

Bugajski: Moska nuk ka nevojë të angazhojë ushtrinë e saj në Ballkanin Perëndimor, sepse në fakt Serbia shërben si përfaqësues i saj. Për Kremlinin ky është një operacion me kosto të ulët për të destabilizuar rajonin duke shtyrë Beogradin dhe Banja Lukën në konflikte të reja në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi. Vuçiç dhe Putin kanë një marrëdhënie simbiotike ku Putini e ndihmon Vuçiç’in të shtyjë për një pan-Serbi, ndërsa Vuçiç ndihmon Putinin të depërtojë në rajon dhe të krijojë probleme për NATO-n dhe BE-në. Paqëndrueshmëria në Ballkan i mundëson Moskës të pretendojë se BE-ja dhe NATO-ja nuk mund të zgjidhin ose parandalojnë konfliktet, ai potencialisht ndan përgjigjet perëndimore dhe i jep Moskës një kartë ballkanike në luftën e saj më të gjerë me Perëndimin. Moska duhet të çarmatoset në Ballkan duke kufizuar ose eliminuar praninë e saj shkatërruese – në fushën e energjisë, ekonominë lokale, mediat dhe rrjetet sociale. Në këtë, SHBA mund të luajë një rol shumë më të spikatur dhe efektiv krahas BE-së.

Si po e shihni ju qasjen e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, në raport me dialogun Kosovë-Serbi, cila është këshilla juaj për Kurtin në raport me këtë proces?

Bugajski: Kryeministri duhet të qëndrojë konsistent në strategjinë e tij ndaj Serbisë. Njohja reciproke nënkupton reciprocitet të plotë në të gjitha marrëdhëniet ndërshtetërore dhe përfaqësim të barabartë në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Këshilla ime do të ishte t’i përmbahet parimeve kryesore dhe të përsërit vazhdimisht objektivat kyçe, por edhe te qëndroj fleksibil në taktikat e përditshme. Prishtina gjithashtu duhet të jetë më e zëshme në shpjegimin se si Rusia po saboton rajonin dhe po përdor lidhjet e saj të ngushta me qeverinë në Beograd dhe institucionet e tjera serbe.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS