UBT

Brovina: Do të veproj sipas Kushtetutës, vetëm PDK’së i takon Kryeparlamentari

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Partitë e Bllokut, nëse do të kishin marrë pjesë në takimin e djeshëm, kanë mundur të ndikojnë të mos shtyhet seanca e Kuvendit. Tash, secili e ka kuptuar se në bazë të Kushtetutës dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese Kryeparlamentari i takon vetëm grupit më të madh parlamentar, në këtë rast, PDK’së. Në këtë drejtim, unë do të respektoj normat kushtetuese. Nuk besoj se do të përsëriten skenat sikur në seancën e kaluar. Kryesuesja e Kuvendit të Kosovë, Flora Brovina, flet për Express.

Express: Seanca konstituive është vendosur të mbahet të enjten, ndërkohë, LDK, AAK, NISMA janë ankuar për këtë shtyrje të seancës. Cila është përgjigja juaj?
F. Brovina:Këto ankesa do të mund t’i thoshin në takimin në të cilin i kam ftuar. Aty kanë mundur të ndikojnë që seanca të mos shtyhej.

Express: Cilat do të jenë veprimet që do t’i ndërmerrni në vazhdimin e seancës konstituive?

F. Brovina: Do të ndërmarrë ato veprime që parashihen në Kushtetutë. Nuk janë çështje të mijat ato dhe rrjedhimisht do të veproj vetëm në bazë të Kushtetutës. Besoj se më në fund do ta zgjedhim Kryetarin e Parlamentit dhe Kryesinë. Kjo është detyra kryesore e imja si Kryesuese e seancës.

Express: Pra, në bazë të asaj që kemi dëgjuar ju do t’ia jepni mundësinë vetëm PDK’së për ta propozuar kandidatin për Kryeparlamentar?

Mobi Casa

F. Brovina: Të gjithë e kanë kuptuar se përgjigja e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e saj nuk janë për diskutim. Ato vendime janë absolute dhe ne duhet t’iu përmbahemi atyre rregullave. Unë e kam pasur të qartë edhe në seancën e parë. Ata që nuk e kanë pasur të qarë, ndoshta, tash e kanë mësuar dhe s’di pse shqetësohemi dhe nuk e kuptojmë se si duhet të votohet Kryetari i Parlamentit.

Express: Mirëpo, po shihet se PDK po shkon edhe në seancën e radhës pa e pasur të sigurt numrin e votave për Kryetar të Parlamentit?

F. Brovina: Të drejtën me të thënë, unë nuk po merrem me punët e mëdha të partisë. Ju po më pyesni vetëm si Kryesuese e seancës dhe unë po përgjigjem vetëm si Kryesuese.

Express: Nëse përsëritet situata e seancës së kaluar, cili do të jetë reagimi juaj?

F. Brovina: Nuk e di dhe nuk ma merr mendja se do të përsëriten skenat e seancës së parë. Besoj se kemi marrë leksione dhe duhet të sillemi seriozisht në vazhdimin e seancës konstituive.