Britania përkrah Kosovën për tejkalimin e sfidave

Drejtoresha për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim pranë Ministrisë së Jashtme britanike, Fiona Mcilwhamka, i ka ofruar mbështetje angazhimit të institucioneve të Kosovës në procesin eurointegrues dhe përballimin e sfidave në këtë proces.
Britania e Madhe do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në përballimin e sfidave për integrim evropian. Kështu është deklaruar të premten pas takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dhe drejtoreshës për Ballkanin Perëndimor dhe për Zgjerim pranë Ministrisë së Jashtme britanike, Fiona Mcilwham. Kryeparlamentari Veseli e ka njoftuar zyrtaren e lartë britanike me të arriturat dhe sfidat e Kosovës e të Kuvendit të saj në veçanti, me agjendën legjislative, si dhe përkushtimin për transparencë, qasje të lehtësuar të palëve të interesuara në hartimin e ligjeve.
Sipas një komunikate të Kuvendit edhe Mcilwham, nga ana e saj, ka folur për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe ofroi mbështetje angazhimit të institucioneve të Kosovës në procesin eurointegrues dhe përballimin e sfidave në këtë proces.
Po ashtu për Kosovën mbështetje ka konfirmuar dhe Turqia, zyrtarë të së cilës kanë premtuar se do të vazhdojnë bashkëpunimin në fusha të ndryshme. Kryetari Veseli ka takuar kryeparlamentarin turk, Ismail Kahraman. Të dy kryeparlamentarët kanë biseduar për bashkëpunimin midis dy shteteve, përkatësisht marrëdhëniet ndërparlamentare dhe thellimin e tyre. Kryeparlamentari Veseli ka vlerësuar të suksesshëm bashkëpunimin ekonomik dhe investimet turke në Kosovë./zeri/