Brezi kufitarë kërkon investime në infrastrukturë dhe bujqësi

Gjilan – Shkëlqim Latifi këshilltar komunal nga radhët e PDK-së thotë se prioritet i brezit kufitarë në radhë të parë është shtimi i sigurisë, investimi në infrastrukturën rrugore në fshatrat Bilinicë e Sllubicë si dhe investime në sektorin e bujqësisë.
Shkëlqim Latifi është këshilltar komunal nga radhët e PDK-së. Jeton në fshatin Pograxhë të Gjilanit i cili në të shumtën e rasteve është transit i shumë kontrabanduesve dhe krimit ekonomik ilegal.
Latifi disa herë në Asamblenë Komunale ka kërkuar që të investohet në fshatrat e brezit kufitarë për të përmirësuar mirëqenin e banorëve dhe për të parandaluar shpërnguljen masive.
Latifi tha se prioritet i brezit kufitar është shtimi i masave të sigurisë duke qenë më e pranishme policia kufitare në pikën kryesore Stublinë-Dobrosinë. Kurse sa i përket projekteve dhe investimeve që mund të ndodhin qoftë nga niveli qendror apo ai lokal aktualisht më se e nevojshme është investimi në infrastrukturë, në veçanti asfaltimi i rrugës Pograxhë – Bilinicë, e cila tërësisht është e degraduar.
Latifi tha se në fshatin Bilinicë përveçse kanalizimit që është përfunduar ka nevojë elementare dhe të domosdoshme që të rregullohet edhe ujësjellësi i fshatit, rrethoja e shkollës si dhe investimet në bujqësi e veçmas projektet me donatorë, si projekti i lopëve me AIFERIN, si dhe projekte subvencionuese me serra për kultivimin e pemëtarisë dhe projekte tjera bujqësore dhe nevoja e krijimit të vendeve të punës për të rinjtë e shumtë të këtij fshati dhe fshatrave tjera që bredhin rrugëve.
Kurse për fshatin Sllubicë e Zahiraj që janë përgjatë kufirit me Serbinë , Latifi tha se është e nevojshme të ju ndihmohet disa fermerëve që merren me dele dhe lopë, si dhe asfaltimi i rrugës deri te Xhamia e Sllubices.
“Për krejt këto projekte mendoj se imperativ është edhe asfaltimi i rrugës Gjilan-Pograxhë, dhe rruga Pograxhë –Llovce”. Latifi mendon se vendosja e një nënstacioni policor në Pograxhë do të ndikonte pozitivisht në krijimin e një klime më të sigurt për banorët e kësaj ane.
Latifi tha se nevoja dhe kërkesa të ngjashme për rrugë dhe investime në bujqësi kanë edhe fshatrat Stublinë, Kokaj, Llovcë etj. Gjendja më e rënduar në brezin kufitarë vazhdon të mbetet në lagjen e Zahirajve. Atje tashmë ka mbetur vetëm Pajazit Zahiri i cili ka mbi 300 dele, por që askush nuk e ka ndihmuar apo përkrahur deri tani.
I vetmi familjar që jetonte në Zahiraj , Rexhep Tahiri tashmë është shpërngulur dhe është vendosur në Gjilan. Shpërngulje të heshtura gati se ka çdo ditë nga këto fshatra kufitare. /rajonipress/