Breshëri dëmton kulturat bujqësore në Anamoravë
Gjilan – Në fshatrat e Gjilanit dhe Kamenicës breshëri ka dëmtuar në masë të madhe kulturat bujqësore. Fshatrat e Gjilanit si në Stublinë(foto), Pograxhë, Capar dhe ato në Kamenicë Muqivërcë, Shipashnicë, Karaqevë e Epërme dhe e Poshtme , Novosellë , Dajkovc, Hodonovcë janë dëmtuar më së shumti.
Breshëri i furishëm që ra në Anamoravë në mesditë ka dëmtuar të gjitha kulturat bujqësore në fshatrat e Anamoravës. Në Gjilan dhe në fshatrat e saj sipas Nazmi Rapucës drejtor për bujqësi në Gjilan kulturat bujqësore janë dëmtuar rëndë në Stublinë, Pograxhë e Capar.
Rapuca tha për rajonipress se breshëri ka dëmtuar misrin, patatet, trangujt, qeptë dhe të gjitha kulturat tjera bujqësore. Rapuca tha se qysh të mërkurën do të dalin ekipet në teren për të vlerësuar dëmin e shkaktuar nga breshëri.
Zymer Osmani banorë në brezin kufitar në Stublinë tha se tërë mundin që ai dhe familja e tij e ka bërë gjatë vers ka shkruar huq.”Breshëri ka marrë para vetës të gjitha kulturat bujqësore dhe realisht për ne ky vit ka përfunduar këtu” tha ky banorë i Stublinës për rajonipress.
Edhe në Kamenicë sipas Ruzhdi Qehajës drejtor për mbrojtje dhe shpëtim breshëri ka dëmtuar kulturat bujqësore në fshatrat Muqivërcë, Shipashnicë, Karaqevë e Epërme dhe e Poshtme , Novosellë , Dajkovc, Hodonovcë. “Nga pamja e parë që kemi hasur në këto fshatra dëmet janë të mëdha. Fatmirësisht nuk ka dëme në njerëz e as në objekte kurse kulturat bujqësore janë të dëmtuara tepër shumë” tha Qehaja./rajonipress/


