Fidanishtja

Bresalci me akademi përkujton të rënët e viteve 1912-1999

/ 5 minuta lexim

Gjilan – Shemsi Syla në emër të këshillit organizativ ka thënë se Bresalci ka arsye të ndihet krenar dhe ballëhapur sepse në ditët më të vështira qëndrojë dinjitoz duke u përballur me ofensivat më të egra të shtetit serb duke treguar se për lirinë nuk ka çmim më të lartë. Qemajl Mustafa ndërkaq tha se kjo akademi nuk është vetëm rikujtim me fjalë e rrëfime përmes këtij tubimi (kësaj akademie) por është shumë më përmbajtësor – është rikujtim me vepër konkrete – me skalitjen dhe shfaqjen e emrave të dëshmorëve e martirëve para popullit për kauzën e të cilit ata edhe e shkrinë veten e tyre.

Me një akademi përkujtimore që është mbajtur të premten në sallën e teatrit në Gjilan , Bresalci dhe Gjilani kanë përkujtuar të gjithë heronjtë, dëshmorët e martirët të rënë gjatë viteve 1912 – 1999. Në këtë akademi merrnin pjesë struktura të larta politike e qeveritare, familjarë të dëshmorëve.

Në emër të Këshillit Organizativ të Bresalcit ka folur Shemsi Syla veprimtarë. Syla duke rikujtuar këtë pjesë të historisë së lavdishme tha se Bresalci ka arsye të ndihet krenar dhe ballëhapur sepse në ditët më të vështira qëndrojë dinjitoz duke u përballur me ofensivat më të egra të shtetit serb , duke treguar se për lirinë nuk ka çmim më të lartë.

Murat Çaushi, Agush Haziri, Vesel Muja, Ibrahim Uruqi, Fatmir e Blerim Ademi janë vetëm disa nga vargu i gjatë i emrave të mëdhenj që duhen përmendur dhe të kujtohen kur shënojmë këto data të rëndësishme. Syla pastaj ka dhënë fakte historike duke përmendur vitin 1912 . Ai tha se në një rrethim të egër të ushtrisë serbe të ndihmuar edhe nga fqinjët nga Koretishta, u pushkatuan dhe u masakruan të gjithë krerët e fshatit, 28 burra, ndër ta edhe heroi i betejës së Dërmogllavës , Murat Bilalli Çaushi.

Syla pastaj ka folur edhe për përndjekjet e pushtetit serb ndaj veprimtarëve dhe aktivistëve të fshatit Bresalc ndër vite. Sipas tij për shkak se nuk janë pajtuar me politikat agresive e pushtuese Bresalci është dënuar me jo më pak se 100 vite burg , duke e dënuar grupin dhe celulën e Partisë Nacional Demokrate Shqiptare. Në vitin 1951 në një pusi tinëzare vritet Agush Haziri bashkë me të shoqen Qibrije Alidema dhe Hasan Alinë.

Syla tutje ka folur edhe për rezistencën e viteve 1981, vitet 1990 dhe 1999. Syla ka thënë se për të gjithë të rënët e këtyre viteve do të zbulohet lapidari i cili do të qëndrojë gjatë dhe do t`i përballojë kohës bashkë me lirinë që është dhuratë e emrave të skalitur në lapidarë.

Kurse Qemajl Mustafa kryetar i Gjilanit tha se një falënderim i veçantë u shkon përherë ideatorëve (nismëtarëve) të secilës ndërmarrje të kësaj natyre andaj më lejoni që në emrin tim dhe të të gjithë qytetarëve të komunës tonë t’a falënderoj përzemërsisht kolonelin Shemsi Sylën i cili e nisi këtë punë të mirë me një ide për projektin dhe e cila me përkrahjen që gjeti te komuna dhe te MMPH dha rezultate konkrete.

Mustafa tha se kësaj herë nuk është ky vetëm rikujtim me fjalë e rrëfime përmes këtij tubimi (kësaj akademie), por është shumë më përmbajtësor – është rikujtim me vepër konkrete – me skalitjen dhe shfaqjen e emrave të dëshmorëve e martirëve para popullit për kauzën e të cilit ata edhe e shkrinë veten e tyre.

Mobi Casa

“Ju ftoj nga këtu sot dhe përherë që të ndjekim shembullin e mirë të njerëzve tanë të veçantë pra, të dëshmorëve tanë dhe të punojmë bashkë dhe të punojmë mirë për veten e për rrethinën tonë. Të mendojmë për një çast se në çfarë rrethana kanë punuar dhe kanë qëndruar pararendësit dhe dëshmorët tanë gjatë këtyre 100 viteve të fundit. Ne e kemi fare më lehtë sepse rrethanat i kemi tepër më të mira “ tha Mustafa.

Në këtë akademi kanë folur edhe Edmond Vllashaj nga Lëviza Shqipëria e re, Ahmet Isufi , Albin Kurti e Hydajet Hyseni.

Me një kumtesë shkencore është paraqitur edhe Hysen Matoshi.

Albin Kurti, lider i Vetëvendosjes, tha se nuk ka asnjë brez të shqiptarëve, i cili nuk e ka përjetuar së paku një luftë, e disa prej tyre, edhe nga dy e tri luftëra. Kjo dëshmon se shqiptarët kanë vuajtur shumë, por edhe dëshmon se shqiptarët janë një popull i kalitur dhe i fuqishëm.

Edmond Vlashaj, kryetar i Lëvizjes “Shqipëria e Re”, tha se të rënët tanë, duhet të jenë frymëzim për ne që të ecim përpara në qëllimet tona.

Deputeti Hydajet Hyseni ka thënë se ne kemi nevojë t`i shpalosim të gjitha sakrificat tona si popull dhe kemi nevojë të shpalosim edhe dhunën dhe gjenocidin që është ushtruar mbi ne, në ish-Jugosllavi.

Këto fakte nuk duhet të harrohen dhe as të injorohen, sepse ka rrezik që fitorja jonë e madhe e arritur në luftë, të zbehet e reduktohet në tavolinat e bisedimeve, siç na ka ndodhur në të kaluarën, ka thënë Hyseni.

Ndërsa Ahmet Isufi, deputet i Parlamentit të Kosovës, tha se Bresalci ka qenë pjesë e angazhimeve për liri dhe gjithmonë ka qenë vendi ku njerëzit kanë shprehur ndjenjat e tyre dhe kanë përcaktuar vizionin e tyre për një liri dhe pavarësi të shqiptarëve. /rajonipress/