Brenda 20 vjetësh fitojnë loto dy herë

Diane dhe Kerry Carmichael, janë një çift nga Arizona, të cilët brenda më pak se 20 vjetësh kanë fituar dy herë në loto.Sipas tyre, fitimi i miliona dollarëve në loto nuk ishte vetëm çështje fati, por edhe e këmbëngulësisë dhe besëtytnisë së shëndoshë.
Shanset e tyre për të fituar dy herë çmim në loto ishin 1 në miliarda.
Siç raportojnë mediat amerikane, ky çift luan rregullisht loto që nga viti 1984. Që nga ajo kohë, çdo vit për blerjen e tiketave ata shpenzojnë 10.000 dollarë, që do të thotë se deri më tash kanë shpenzuar rreth 200.000 dollarë.
“Kjo është këmbëngulje”, thotë Diane, duke shtuar, se ishin paksa edhe besëtyt, sepse besonin se mund të fitonin vetëm nëse çdoherë i blejnë tiketat te i njëjti shitës.
Megjithatë, përkundër faktit se kanë fituar disa milionë dollarë në loto, ky çift thotë se jeton një jetë modeste. Veturat e tyre janë të vjetra 9 dhe 13 vjet – mirëpo shtojnë se edhe më tutje do të vazhdojnë të blejnë tiketa të lotos.
Ky çift kishte fituar shpërblimin prej 2.5 milionë dollarë në vitin 1995, ndërsa kohë më parë një shpërblim tjetër prej 1 milion dollarë.