Fundamenti

Bregu në Beograd: Kosova nuk është Serbi e as Shqipëri, por Kosovë

/ 3 minuta lexim

E ftuar në konferencën “BE dhe Ballkani Perëndimor pas Brexit”, e cila u mbajt në Beograd, ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu ka cekur disa probleme që kohët e fundit kanë tronditur rajonin, para së gjithash në marrëdhëniet shqiptaro-serbe.

Ajo ka thënë se vendet e rajonit kane aq shume probleme sa nuk mund të ngelen peng i së shkuarës dhe para të ftuarve të tjerë ka theksuar se Kosova nuk është as Serbi e as Shqipëri, por vetëm Kosovë.

“Njerëzit e përfshirë në politikë s’duhet të përdorin tone të zbutura, tone rozë duke fshehur të vërtetat poshtë rrogozit, në një kohë kur vetë situate aktuale nuk është e tillë”, tha kryetarja e Komisionit të Integrimit në BE të Kuvendit të Shqipërisë, raporton “Shqip”.

“Përveç ftesës nga kryenegociatorja e Serbisë, arsyeja tjetër pse sot jam këtu është bindja ime se ajo që na bashkon e ato që duhet të ndërtojmë mund të realizohen vetëm nëpërmjet dialogut dhe transparencës. Që ta realizojmë na duhen mendje të ftohta dhe zemra të ngrohta e jo e kundërta. Pas Brexit, marrëdhënia e Ballkanit Perëndimor me BE është bërë totalisht e pasigurt”, shtoi ajo.

Bregu beson se asnjë problem i Ballkanit Perëndimor apo i vetë Evropës nuk mund të zgjidhet vetëm, qoftë siguria, refugjatët, problemet ekonomike apo radikalizmi islamik.

Eco Higjiena

“Zgjedhja që kanë politikëbërësit perëndimorë është ose të njohin legjitimitetin e këtyre nevojave dhe të ndryshojnë rrënjësisht qasjen e tyre ose të vijojnë me politikën aktuale dhe të rrezikojnë rinovimin e konflikteve. Konflikti, frika, kërcënimi dhe provokimi janë rrezik për të ardhmen evropiane të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sot ka dy raste të juridiksionit kombëtar. Një, rasti Haradinaj, tjetri i trenit. Nëse dërgohet një tren me shkrimin “Kosova është Serbi”, kjo nuk është një punë e madhe, po çfarë vlerë ka të bëhet kjo? Është fuqia e simboleve”, u shpreh deputetja e PD-së.

“Ka një gardh, një tren dhe një urdhër arresti që nuk janë në frymën e dialogut Beograd-Prishtinë dhe që po vënë në rrezik arritjen historike të Ballkanit Perëndimor: marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Kosova nuk është Serbi, Kosova nuk është Shqipëri. Kosova është Republika e Kosovës që nga viti 2008. Ballkani s’mund të jetojë me skemat e konflikteve se këto të lenë peng të së shkuarës e jo së ardhmes”, shpjegoi Bregu.

“I vetmi gardh që vendet tona duhet të kenë është zbatimi i ligjit. Nëse duam që rajoni jonë të ketë peshë, duhet të jemi bashkëpunues e jo luftëtar. Kufijtë ndërrohen vetëm me luftë, jo në paqe. Lufta nuk është kurrë zgjidhje. Ballkani jeton sot nën kërcënimin e sigurisë, gjendjes ekonomike, radikalizimit të islamit. Nuk mund të shtojmë edhe kërcënimin e së shkuarës”, deklaroi Bregu.

Ndërkaq, ndaj këtyre deklaratave reagoi shefa e ekipit negociues serb për BE, Tanja Mishçeviq, e cila tha se arrestimi i “kriminelëve të luftës” është një nga parimet themelore të sundimit të ligjit.

“Mund të mos pajtohemi për statusin e Kosovës, por për atë se çfarë janë elementet kryesore të sundimit të ligjit, mendoj se do të mund të pajtoheshim shumë mirë”, ka thënë Mishçeviq.