Uji Dea

Breedlove pa përgjigje nëse FSK-ja shndërrohet në ushtri këtë vit

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Komandanti i KFOR-it në Kosovë, gjenerali Guglielmo Luigi Miglietta, së bashku me Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneral Philip Breedlove, duke folur për rolin e KFOR-it në Kosovë, thanë se KFOR-i është i përkushtuar të kontribuojë në normalizimin e të gjithë rajonit.

Në një konferencë për media, sot në Prishtinë, komandanti Miglietta, tha se rëndësi të veçantë duhet kushtuar çështjes së migrimit dhe terrorizmit, transmeton kosovapress.

Sipas tij, Kosova ka shënuar arritje të mëdha muajt e fundit në këtë drejtim. Ndërsa Philip Breedlove lavdëroi punën e Forcës së Sigurisë së Kosovës, por nuk tha nëse këtë vit do të shndërrohet në ushtri.

Po ashtu, gjenerali Breedlove foli edhe për punën e KFOR-it në Kosovë ku tha se për këto tre vitet e fundit, ka parë që KFOR-i ka bërë një punë të shkëlqyer.

Ai përshëndeti edhe punën e FSK-së, derisa u pyet rreth transformimit të FSK-së në ushtri, por nuk tha nëse kjo gjë do të ndodhë këtë vit, siç pritet.

Ndërsa, për raportimin e medieve kosovare se xhandarmëria serbe më datën 28.01.2016 u fut në territorin e Kosovës, Miglietta tha se automjeti i gjetur nuk ka qenë në territorin e Kosovës por në atë të Serbisë.

Ndërsa, sa për të arrestuarit në Komunën e Deçanit, ai tha se nuk ka informacione që të dyshuarit janë të lidhur me të ashtuquajturin Shtet Islamik, por janë në pritje të përfundimit të hetimeve nga ana e Policisë së Kosovës.

UBT

“KFOR-i ka kryer hetimet lidhur me xhandarmërinë serbe dhe mund të them se automjeti ka qenë në territorin e Serbisë, jo në territorin e Kosovës. Për ne kjo nuk paraqet ndonjë problem por sa i përket arrestimit të katër individëve tek manastiri i Deçanit, por është më mirë të presim derisa të kryhen hetimet, sepse PK është duke i bërë hetimet lidhur me këtë dhe duhet të presim për rezultatet e këtyre hetimeve”, tha ai.

Sa i përket aspektit të sigurisë në Kosovës, komandanti i KFOR-it në Kosovë tha se muajt e fundit kanë qenë relativisht të qetë në Kosovë.

“Dua të prek çështjen e fluksit të madh të emigrantëve dhe numrin e të ashtuquajturve luftëtarë të jashtëm, që janë disa prej çështjeve që duhet kushtuar më së shumti rëndësi. Institucionet e Kosovës janë plotësisht të angazhuara dhe rezultatet e para janë të prekshme. Një shembull që mund të jap lidhur me luftëtarët e huaj është se Policia e Kosovës ka shënuar një arritje brenda kornizës ligjore, me një theks të veçantë sa i përket Policisë së Kosovës, dëshiroj të nënvizoj se si Policia e Kosovës demonstroi efikasitetin e saj gjatë këtyre muajve të fundit, me një profesionalizëm të madh”, tha ai.

Ai tha se KFOR-i do të vazhdojë të mbajë një ambient të qetë e të sigurt në Kosovë dhe theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.

Ndërsa, për rritjen e numrit të ushtarëve nga NATO, në mënyrë që të luftohet shteti islamik, Breedlove tha se kjo çështje është në diskutim.

“Është një mundësi qe jemi duke e diskutuar në NATO por nuk kemi marrë ndonjë vendim. Do të shikojmë çdo mundësi por ende nuk është marrë ndonjë vendim konkret për këtë”, tha ai.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, Komandanti Suprem të Forcave Aleate për Evropë, gjeneralin Philip Breedlove ka takuar sot presidentet e vendit Atifete Jahjaga dhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa./zeri/