Botuesit e librave shpresojnë për dialog e pajtim

Libri Boshnjak i të Vdekurve , i botuar së bashku nga boshnjakët dhe serbët përmban emrat e pothuajse 97,000 njerëzve të vrarë gjatë konfliktit të Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) në 1992-1995 dhe pretendon të jetë rregjistrimi më i saktë i viktimave deri tani.
Numri i emrave të rreshtuar është larg 200,000 të vdekurve pretenduar në mënyrë rutinë nga qeveria boshnjake dhe degët e mediave vendase.
Mirsad Tokaça, drejtor i Qendrës së Kërkimit dhe Dokumentacionit me qendër në Sarajevë, një nga botuesit e librit, tha se lista është e lirë nga paragjykimet etnike dhe mbështetet në fakte, jo përllogaritje.
“Eshtë më e lehtë të manipulosh numrat sesa emrat. Duhet të gjejmë të vërtetën: cilët individë, ku dhe si u vranë, për të qenë në gjendje të bisedojmë rreth pajtimit. Në qoftë se duam të shkojmë përpara e t’a mbyllim këtë kapitull, ai duhet të jetë i saktë dhe pa anëmbajtje. Dhe kështu është ky libër,” tha Tokaça për SETimes.
Sipas Tokaçës, lista e librit është e vetmja që rendit viktimat e luftës sipas emrit, vendi dhe rrethanat e vdekjeve të tyre dhe e vetmja që përfshin civilë, ushtarë, gra dhe fëmijë të të gjitha grupeve etnike.
Lista është mbështetur në informacion nga burime të ndryshme, duke përfshirë 750 rregjistrime video dhe audio dhe 1,500 faqe nga dokumente të ndryshme. Ai përfshin gjithashtu të dhëna nga Instituti Boshnjak i Personave të Humbur dhe arkivat e 725 organizatave.
I botuar nga Qendra e Kërkimit dhe Dokumentacionit dhe Qendra e Ligjit Humanitar të Serbisë, libri u financua vetëm nga agjencitë dhe qeveritë e huaja.
Libri përmban 5,000 emra të tjerë njerëzish për të cilët shkaku dhe vendi i vdekjes nuk mund të konfirmohej.
“Vlera tjetër e librit është ideja për të nisur procesin e pajtimit me cilësimin dhe identifikimin e viktimave me qëllim që të ndalet abuzimi i shifrave … Tani që kemi emrat e viktimave, ky do të jetë fundi i manipulimeve dhe fillimi i dialogut,” tha Natasha Kandiç, drejtore ekzekutive e Qendrës së të Drejtës Humanitare me qendër në Serbi.
Por politikanët dhe familjet e viktimave në të tre anët e ndarjes etno-nacionaliste kanë kritikuar përfundimet e librit, duke pretenduar se shifrat nuk janë të sakta.
Milivoje Ivanisheviç, drejtor i Institutit të Republikës Sërbska për Kërkimin mbi Vuajtjet e Serbëve, tha se libri përfaqëson një shtrembërim të së vërtetës dhe tha se mijëra viktima serbe nuk ishin renditur.
“Nuk e njohim këtë botim si të besueshëm. Eshtë e pamoralshme që viktimat serbe u rregjistruan nga të njëjtët njerëz që i vranë ato. Jam i bindur se çdo grup etnik duhet të shqyrtojë viktimat e grupit të tij etnik dhe jo ata që kanë kanë kontribuar në vuajtjet e tyre,” tha Ivanisheviçi. /Indeksonline/