Botërori ia mori ‘zemrën’ Januzajt

Adnan Januzaj ka deklaruar se ishte Kampionati Botëror, ai që e shtyri të vendos për Belgjikën. Në një mënyrë të tillë, ai është shprehur për uebfaqen zyrtare të klubit të tij, Manchester United. “Jam 19 vjeç dhe të shkoja në Botëror në këtë moshë, ishte një gjë mjaft e mirë për mua.
Nuk kam luajtur shumë, por pavarësisht kësaj, unë kam mësuar shumë nga ky kampionat, pasi kam marrë edhe përvojë. Mësova shumë nga grumbullimet, dhe do të më duhen për të ardhmen”, ka thënë Januzaj. Ai synon të bëhet pjesë edhe e kampionateve të ardhshme botërore.
“Do të doja të shkoj edhe në Botërorin e ardhshëm. Në Brazil shkova për të mësuar, kurse në Botërorin e ardhshëm, do ta di më mirë se çfarë më pret. Deri atëherë ka kohë, fillimisht shpresoj të kualifikohemi”. Ai ka përmendur Divock Origin, i cili i ka ndihmuar të adaptohet në Përfaqësuesen e Belgjikës.