Boshatiset vendi
Emigrimi ilegal ka boshatisur shumë qytete të Kosovës, vend që u bë shtet i pavarur shtatë vjet më parë. Pothuajse në të gjitha qytetet e vendit po vërehet një mungesë e gjallërisë, ndërsa edhe nëpër objektet afariste edhe te zanatlinjtë ka rënë dukshëm puna. Qytetarët e Kosovës, shtatë vjet pas pavarësisë dhe 15 vjet pas luftës, po e humbin durimin ndaj moszhvillimit ekonomik, që i ka shndërruar në lypsarë e i ka sjellë buzë varfërisë ekstreme.
Kryeqendra e Kosovës, Prishtina, qytetet tjera Mitrovica, Vushtrria, Ferizaj, Gjilani…, nuk kanë numrin e banorëve që kishin para dy muajve. Ulëset nëpër autobusë të linjave Prishtinë- Mitrovicë-Vushtrri, Prishtinë Ferizaj, Prishtinë- Gjilan, Prishtinë-Drenas…, e anasjelltas po mbesin jo rrallë të zbrazëta nga udhëtarët. Por, vendet në autobusët e linjës Prishtinë-Beograd, janë të rezervuara edhe disa ditë më përpara.
Kosovarët po e braktisin Kosovën përmes kësaj linje edhe pse mbi 200 veta u arrestuan nga xhandarmëria serbe teksa po kalonin kufirin ilegalisht.
As xhandarmëria serbe nuk po i tremb të ikin nga vendi, ku një pjesë e tyre që kanë emigruar e po emigrojnë gjatë luftës qëndruan në Kosovë. Tash ata kanë ndërruar mendje. Po e braktisin Kosovën./zeri/


