KKVITI

Bosët e vërtetë të pompave, në karriget e institucioneve

/ 10 minuta lexim
ARKATANA

Analistët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe habiten se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës që nga pas lufta e deri më sot nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura të larta politike dhe shtetërore, si në pozite ashtu edhe në opozitë, qëndrojnë fshehtas, por edhe realisht prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë, të cilët për çdo vit ndaras sjellin në tregun vendas, secila me nga mbi 5000 cisterna ose nga 150 milionë litra naftë e benzinë me një qarkullim prej rreth mbi 200 milionë euro.

Lajçi: Pasi nuk kemi sistem të drejtësisë, e kemi këtë situatë në tregun e derivateve me më së shumti evazion fiskal, që dyshohet se është i lidhur me krerët më të lartë të shtetit

Analistët e ekonomisë dhe specialistët e kësaj fushe habiten se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës që nga pas lufta e deri më sot nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë që të gjithë e dinë se cilat figura të larta politike dhe shtetërore, si në pozite ashtu edhe në opozitë, qëndrojnë fshehtas, por edhe realisht prapa kompanive të mëdha të derivateve të naftës në Kosovë, të cilët për çdo vit ndaras sjellin në tregun vendas, secila me nga mbi 5000 cisterna ose nga 150 milionë litra naftë e benzinë me një qarkullim prej rreth mbi 200 milionë euro.

Sipas analistëve, të gjitha kompanitë e naftës po dyshohet se i kanë bashkë-aksionarë, gjegjësisht pronarë të vërtetë dhe shefa politikanët e nivelit të lartë, duke filluar që nga Presidenca, Kuvendi, Qeveria, që edhe pse 19 vjet pas luftës, ata vazhdojnë të udhëheqin këto kompani nën hije dhe të fitojnë për çdo vit nga disa dhjetëra miliona euro, duke e kontrolluar dhe duke mbajtur të “zaptuar” e të sunduar tregun e superkontrolluar , me kontrabandë etj. Me gjithë vizitën e bërë dhe pyetjet e dërguara nga ana e gazetarit në adresë të tyre elektronike, se çka mendojnë Prokuroria e Shtetit se kush janë “padronët” ose pronarët e vërtetë që po e sundojnë “arin e zi” në Kosovë, ku qarkullon më shumë se 1 miliard euro brenda vitit, dhe nga ku përfitojnë mbi 200 milionë euro në vit, zyrtarët e Prokurorisë nuk kanë dhënë përgjigje. Ekonomia e uzurpuar Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës Salih Salihu, për gazetën “Kosova Sot”, thotë se mbase mosfunksionimi i Gjykatës dhe Prokurorisë janë shkaktare dhe burim i të gjitha të këqijave në këtë vend. “Tani, me rastin e fundit të prokurorit Blakaj u pa qartë se ne ç’masë janë të kapura dhe kontrolluar nga shteti këta dy sektorë të rëndësishëm të një shteti normal, Prokuroria dhe gjykatat”, u shpreh ai. “E tëra kjo bëhet qëllimisht dhe këtu qëndron edhe arsyeja e heshtjes së Prokurorisë, që me heshtjen e tyre e bëjnë direkt dhe tërthorazi mbështetjen e bizneseve që janë të lidhura me pushtetarët. Prandaj, edhe kjo është arsyeja e mosguximit të prokurorëve dhe gjykatësve që të merren me ndriçimin e rasteve delikate dhe më të rënda që me evazionin e tyre të madh fiskal e kanë prekur zbrazjen e arkës së shtetit dhe kjo më së miri na tregon se ky vend nuk do të ecë para, dhe se ky vend i ka dyert e mbyllura për integrime euroatlantike”, vijoi më tej Salihu. Edhe deputeti tjetër në Kuvendin e Kosovës nga tabori i opozitës, Ali Lajçi , për gazetën “Kosova Sot”, thotë se këtu kemi të bëjmë me dukurinë e pasluftës që e ka pllakosur sistemin tonë në përgjithësi në të gjitha nivelet. “Ngase, kemi probleme të korrupsionit, krimit të organizuar dhe ekonomik, duke filluar nga administrata, që janë në lidhje të kompanive me klientelë, madje me institucione qendrore dhe sigurisht se këto kompani e ndajnë edhe fitimin apo ‘tallin’ e këtyre kompanive të derivateve”, u shpreh ai. Sipas Lajçit, këto raste të lidhjeve të kompanive me pushtetarët janë të shumta dhe dihet se si janë rastet e kompanive të derivateve, pastaj ato të homologimit të automjeteve, që është një zhvatje totale dhe e pastër. “Veç saj, kemi edhe objektet shoqërore që janë të uzurpuara, ku edhe pronarët e tyre uzurpatorë janë të lidhur me bartësit e institucioneve dhe që e zhvatin buxhetin e shtetit bashkërisht”, vlerësoi Lajçi

“Që nga pas lufta gati të gjithë e dinë se prapa kompanive të mëdha, që po bëjnë kontrabandë me derivate nafte, qëndrojnë figura të larta politike dhe shtetërore, qofshin ata të pozitës apo edhe të opozitës, të cilët qëndrojnë fshehtas. Nuk duhet që të habitemi se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës, që nga pas lufta e deri më sot, nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë se kush po qëndron prapa këtyre kompanive të mëdha të derivateve”, thotë analisti i ekonomisë Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot’

ARKATANA

Veriu, oazë e kontrabandës Ndërsa, anëtari i Kryesisë së Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Ramadan Maloku, për gazetën “Kosova Sot” ,thotë se është e vërtetë se pas lufte tregu i derivateve të naftës në Kosovë, veçanërisht në veri dhe enklavat serbe, ka qenë një treg mbi gjysmën e tij i pakontrolluar, për arsye se është një produkt i shtrenjtë e me akcizë kaq të lartë e me taksa shtesë të larta është një nga produktet që është kontrabanduar më së shumti në Kosovë dhe që shumica e tij ka ardhur nga veriu i Kosovës, por nuk është përjashtuar edhe nga pikat e tjera doganore, të cilat shpesh këto derivate importohen si produkte të ndryshme me qëllimin e vetëm për t’u ikur akcizave të ndryshme. “Shteti dhe institucionet më të larta të shtetit në vite në vijim janë marrë shumë më seriozisht me këtë rregullim të tregut të derivateve, duke mos bërë përjashtime dhe duke i futur të gjithë në një treg formal dhe duke u dhënë mundësi që në tregun vendor do të jenë të gjithë të barabartë, sepse kështu do të rritet edhe buxheti i shtetit edhe do të jetë një treg më i kontrolluar”, u shpreh ai. “Prandaj, institucionet e shtetit të Kosovës duhet që urgjentisht ta rregullojnë këtë treg, duke e vënë nën kontroll të rreptë në tërë territorin e Kosovës”, theksoi Maloku. Sipas tij, ndonëse në opinion flitet se shumë kompani të derivateve në Kosovë janë me bashkë-aksionarë e pronarë, politikanë të lartë, nëse ka dyshime të tilla me ndriçimin e tyre duhet që të merret Prokuroria dhe Hetuesia e jo shoqata e tyre. Kadriaj: Politika në Kosovë është babai i mafio-oligarkisë!

Eksperti i ekonomisë Mustafë Kadriaj, për gazetën ” Kosova Sot”, thotë se në Kosovë aq mirë funksionon oligarkia, saqë deri më tani nuk kemi asnjë rast që të ketë hapur Prokuroria e Shtetit për krim të organizuar apo shtimin marramendës të pasurisë së njerëzve të politikës. Pra, trekëndëshi biznes, politikë dhe Prokurori funksionon aq mirë, që ekonomia e tregut tanimë i ka humbur kuptimi, sepse është e mbuluar nga monopolet dhe oligopolet banesore. “Nëse për bazat e tregtisë së lirë, Adam Smith quhet babai i ekonomisë, mendoj që politika në Kosovë është babai i mafiooligarkisë. Politika në vend aq ia ka futur thikën në kockë qytetarit, saqë tani kryeministri i vendit kërcënon që kush me thotë hajn dhe më ofendon ia kthej me të njëjtën kartë dhe është i gatshëm për përleshje fizike me arsyetimin se askujt nuk ia ka vjedhur babën. Kryeministri duhet të ketë të qartë që asnjë qytetar nuk është ankuar që ia ka vjedhur shtëpinë, por qytetarët nuk mund të mbyllin sytë kur politika në vend i është shtuar pasuri minimum dhjetë herë më shumë se të hyrat e tyre”, u shpreh ai. “Qytetari kërkon nga prokurori që të investigohen dhe të hetohen pasuritë e njerëzve të politikës dhe kjo do ishte e mirë edhe për politikën në vend që të pastrohet njëherë e përgjithmonë, sepse ka njerëz që punojnë me nder, por edhe zhvatësit e pushtetit dhe të buxhetit duhet të dalin para drejtësisë, sepse kjo është njëherësh edhe obligim i Bashkimit Evropian si kusht për avancim të mëtutjeshëm të Kosovës pranë BE-së”, vlerësoi Kadrijaj.

Bandat kriminale udhëheqin shtetin Eksperti i Integrimeve Evropiane në sektorin e ekonomisë, Ardian Nokaj, për gazetën “Kosova Sot’, thotë se në Kosovë gjithçka sillet rreth grupit kriminal politik. “Problem i madh për vendin mbetet kapja e Prokurorisë, e cila në fakt është bërë vetëm si vagon i trenit të krimit politiko-okupues, andaj situata është mjerim dhe na duhet Vetting në të gjitha poret e shoqërisë për luftimin e korrupsionit politiko-ekonomik”, u shpreh ai. “Pas megalomaneve – kompanive të derivateve të naftës, qoftë vendore apo ndërkombëtare, që janë fuqizuar tej mase dhe kanë krijuar një monopol me fuqinë e vet në treg, perceptimet e opinionit janë se dikush nga politikanët e skenës politike vendore apo ndërkombëtare qëndron prapa tyre”, vijoi më tej Nokaj. “Në këto raste ka dyshime të mëdha, por asnjëherë nuk janë të bazuara në fakte dhe derisa ne nuk kemi fakte për këto akuza mbesim vetëm si dëshmitarë okularë se diçka po ndodh”, ka potencuar ai. Ndërsa analisti i ekonomisë, Dardan Grapci, për gazetën ” Kosova Sot’, thotë se tashmë që nga paslufta gati tërë Kosovës gati të gjithë e dinë se prapa kompanive të mëdha, që po bëjnë kontrabandë me derivate nafte qëndrojnë figura të larta politike dhe shtetërore, qofshin ata të pozitës apo edhe të opozitës, të cilët qëndrojnë fshehtas. “Nuk duhet që të habitemi se si është e mundur që Prokuroria e Kosovës, që nga pas lufta e deri më sot, nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm dhe të zbardhë atë se kush po qëndron prapa këtyre kompanive të mëdha të derivateve”, vlerësoi ai.

(Kosova Sot)