Bosch: Liberalizimi i vizave, ndoshta vitin tjetër!
Nëse dëshironi zhvillim ekonomik ju duhet ndryshoni mentalitetin tuaj. Nuk mundeni brenda natës të bëheni të pasur. Duhet të punoni shumë për të fituar, ka thënë në enjten ambasadori holandez në Prishtinë, Robert Bosch, në ligjëratën e hapur para studentëve të kolegjit “Universum”.Sipas tij, liberalizimi i vizave mund të ndodh vitin tjetër. E, deri atëherë kosovarët duhet t’i kryejnë detyrat e tyre nëse dëshirojnë të lëvizin lirshëm, drejt shteteve të Bashkimit Evropian.
“E nëse kjo nuk ndodh edhe pas plotësimit të kritereve, atëherë faji është tek BE-ja”, tha ambasadori Bosch.
Gjatë kohës së qëndrimit të tij në Kosovë, Bosch thotë të mos ketë vërejtur ndryshim sa i përket zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Sipas tij, zhvillim ekonomik është penguar më së shumti nga mungesa e sundimit të ligjit.
“Në vendin tuaj ka mjaft ligje të mira, por ato nuk implementohen. Biznesmenët e shtetit tim besojnë në kontratë dhe nëse ajo nuk respektohet ata besojnë se problemin mund ta zgjedhin nëpërmjet gjykatës. E, këtu kjo nuk po ndodh, andaj edhe investitorët e huaj frikësohen të investojnë në vendin tuaj”, tha Bosch.
Por, nuk është vetëm mungesa e sundimit të ligjit që po pengon zhvillimin e vendi. Ambasadori iu tha studentëve të Kolegjit “Universum” se pengesë është edhe mentaliteti i kosovarëve.
“Mentaliteti këtu duhet ndryshuar që të mos mendohet se investimi mund të kthehet brenda natës. Ju duhet të punoni shumë që investimet t’ju ktheni pas disa viteve”, tha Bosch.
Ai ka kërkuar nga kosovarët që të bëjnë shumë më shumë që t’i bindin pesë vendet e BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, të themelojnë Gjykatën Speciale para se atë ta bëjë dikush tjetër, të krijojnë një Ushtri profesionale dhe të përqendrohen në zhvillim ekonomik dhe në krijim të një klime të sigurt për investimet e huaja. /Telegrafi/


