ARKATANA

Bosch: Joreale të pritet liberalizimi i vizave sivjet

/ 11 minuta lexim
ARKATANA

Ambasadori i Mbretërisë së Holandës në Republikën e Kosovës Robert Bosch vlerëson se pritjet që Evropa t’i liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës brenda këtij viti janë joreale dhe thotë se në rastin më optimist kjo mund të ndodhë në fillim të vitit 2016.

Bosch ka tashmë katër vite e gjysmë prejse ka marrë postin e diplomatit të vendit të tij në shtetin tonë dhe, që nga 2010, ka parë ndryshime të shumta në Kosovë, edhe atë jo vetëm negative, por edhe pozitive. Mirëpo, porosit ai, prapëseprapë mbetet shumë punë për t’u bërë.

Në intervistën për KosovaPress, Bosch flet për krijimin e Gjykatës Speciale, që pritet të ketë degën e saj, apo edhe të vendosë tërësisht selinë në shtetin e tij, për çka thotë se ekziston një pajtim në mes Holandës dhe BE-së, ndonëse një kërkesë zyrtare nga institucionet e vendit ende nuk i është bërë këtij shteti që tashmë ka traditë në akomodimin e gjykatave ndërkombëtare.

Sipas tij, ndonëse ende nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim, pritet që ky institucion i drejtësisë të funksionalizohet brenda këtij viti.

Ne kemi thënë Po për Gjykatën Speciale

“Të themi që kjo ide është diskutuar dhe ka qenë një vëzhgues holandez, por nuk ka asgjë më shumë se kaq, sepse ne jemi duke pritur që të përfundojë procesi dhe pastaj ata do të vijnë tek ne. Prandaj ata kanë kërkuar tek ne që të bëhemi nikoqirë të kësaj gjykate dhe ne kemi thënë PO. Mund të jetë në Hagë, por mund të jetë edhe në një qytet tjetër të Holandës, por më e logjikshme do të ishte të vendosej në Hagë, por ende nuk e dimë… Duhet të finalizohet nga ana tjetër, e pastaj të vijnë tek ne, duhet pajtim i Parlamentit për këtë, para se gjithash duhet qeveria të pajtohet me ato që do të vijnë. Gjykata duhet të jetë diku dhe ne kemi thënë – në rregull, e pranojmë. Nëse askush tjetër nuk e do, ne mund ta kemi. Sepse ne e konsiderojmë se pas Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, ne tashmë kemi shumë gjyqe dhe një më shumë një më pak nuk qon peshë. Për këtë arsye ne kemi thënë që është në rregull. Me këtë mund ta kuptoni logjikën e asaj pse një gjykatë e tillë duhet të jetë në Holandë”, tha Bosch.

Sipas tij do të ishte më problematike vendosja e kësaj gjykate nën juridiksionin e Kombeve të Bashkuara, sesa nën ombrellën e BE-së dhe ligjeve të saj , pasi që përfshirja e OKB–së në këtë çështje do të ishte më e komplikuar për vetë faktin se do të kishte numër të madh të shteteve të përfshira në këtë çështje.

Bosch thotë se shteti I tij mund ta ndihmojë Kosovën, sidomos në fushën e bujqësisë, duke sjellë ekspertë të saj për të dhënë kontributin e tyre në këtë fushë, që konsiderohet ndër degët më të rëndësishme ekonomike.

Holanda do ta ndihmojë Kosovën në bujqësi me ekspert

“Sa i përket vendit tuaj, ju keni potencial të madh në këtë fushë, prandaj është e rëndësishme që Qeveria juaj e re të shpenzoj më shumë në zhvillimin e agrikulturës, sepse jo vetëm që bujqësia është si potencial i madh për zhvillim ekonomik, por po ashtu është shumë e rëndësishme për të krijuar vende të reja të punës. Sepse është shumë e lehtë për të krijuar vende të reja dhe kjo është e rëndësishme për këtë shtet. Sa i përket kontributit që mund të japë Holanda në këtë drejtim, ajo mund të ndihmojë me ekspertizën e saj, ne kemi dëshirën për të ndihmuar, dhe këtë ia kemi thënë qeverisë , dhe ne kemi projekte interesante për kompanitë e vogla për t’u ndihmuar atyre për të qenë më mirë, me ekspertë nga Holanda të cilët do të vijnë falas dhe do t’u tregojnë atyre se çfarë të bëjnë”, deklaroi Bosch.

Ambasadori Bosch foli edhe për valën e migrimit që kaploi vendin muajt e fundit të vitit 2014 dhe muajt e parë të këtij viti, duke thënë se ikja e njerëzve ka filluar t’i bëjë popujt evropianë të mendojnë se çfarë do të ndodhë me këta qytetarë, të cilët ikin kështu derisa nuk kanë liberalizim të vizave, kur të përfundojë ky proces. Kjo, sipas tij, ka dëmtuar imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare.

Migrimi i ka shkaktuar dëm të madh Kosovës

“Migrimi ka shkaktuar natyrisht një dëm të madh për Kosovën jo vetëm në marrëdhëniet me raport me publikun, por ikja e njerëzve ka filluar t’i bëj njerëzit të mendojnë se çfarë shteti është ky nga i cili ikin njerëzit. Natyrisht që kjo është e keqe, por po ashtu është e keqe që njerëzit ikin, sepse ata janë të nevojshëm këtu, posaçërisht kur ata janë njerëz të mirë. Normalisht që ata nuk e dinë, por njerëzit që kanë edukim të duhur dhe mundësi të tjera nuk duhet t’i lini sepse vendi ka nevojë për ta më shumë se Evropa, sepse ne kemi mjaftë atje. Por, nëse doni të bëni diçka për vendin tuaj ju duhet ta bëni këtu, dhe të qëndroni këtu, sepse këtu puna duhet të bëhet. Vendi ka mundësi të mëdha dhe shumë punë për të bërë, prandaj është kaq negative kjo ikje”, theksoi Bosch.

Eco Higjiena

Në intervistën për KosvaPress, ambasadori Bosch flet edhe për procesin e liberalizimit të vizave, për deklaratat kontradiktore të zyrtarëve qeveritarë sa i përket asaj se a do të ketë apo jo liberalizim të vizave brenda këtij viti, duke thënë se një gjë e tillë është vështirë e arritshme dhe larg realitetit të tanishëm. Sipas tij, një goditje këtij procesi ia ka dhënë edhe ikja ilegale e njerëzve në vendet e BE-së.

Optimiste është të shpresohet që vitin e ardhshëm do të ketë liberalizim të vizave

“Mirëpo edhe njëherë ajo që është thënë nga ministri i ri integrimeve evropiane, ai ka dhënë një pamje të qartë dhe të mirë të punëve të cilat duhet të bëhen. Pra shumë çështje janë që duhet të kryhen nga qeveria juaj, sidomos në aspektin e sundimit të ligjit, ku janë shumë kushte të cilat duhet të arrihen. E di që ministri Çollaku ka thënë se kjo do të ndodh deri në fund të verës, le të shohim nëse kjo do të ndodhë, sepse ka ende punë për t’u bërë në Komisionin Evropian. Ata do ta shikojnë këtë proces për të parë se sa ka përparuar dhe në këtë rast do të shohin – nëse janë të kënaqur do të raportojnë në Bashkimin Evropian dhe në Këshillin e Evropës dhe në fund, pas Këshillit, në Parlamentin Evropian. Mirëpo, nuk mendoj se kjo do të ndodhë deri në fund të këtij viti. Mirëpo, siç thashë, për arsye politike kjo ikje e njerëzve ka pasur ndikim negative, prandaj në Parlament, ku njerëzit vijnë përmes votës, kjo mund të bëhet më e vështirë . Prandaj ikja e njerëzve e ka bërë më të vështirë për ata që kanë qëndruar dhe nuk kanë ikur. Nuk mendoj që është reale të presim këtë vit. Më e mira e mundshme do të ishte në fillim të vitit të ardhshëm”, tha Bosch.

Bosch fol edhe për bojkotin që po i bën Lista Serbe institucioneve të vendit, për të cilin thotë se më së shumti i dëmton banorë serbë, të cilët tash sa kohë kanë mbetur të papërfaqësuar në Kuvendin e Kosovës.

Lista Serbe me bojkotin po e dëmton popullatën serbe

“Mendoj se bojkotomi i kësaj Liste, që është pjesë e qeverisë, është I keq, së pari për popullatën serbe, sepse ata do të mbesin tash pa përfaqësim, gjë që është e keqe, pasi që kur të jeni aty ju mund të ndikoni. Prandaj e konsideroj të nevojshëm kthimin e tyre. Është mirë që ata të kthehen dhe të vijnë me vullnet të mirë dhe të punojnë, veçanërisht për popullatën serbe. Mendoj që më e mira që mund të bëjnë për popullatën serbe është të punojnë për interes e tyre dhe me vullnet të mirë”, theksoi Bosch.

Ambasadori holandez komenton edhe protestën që pritet të mbahet me 18 prill, duke thënë se është e drejtë legjitime e gjithsecilit për të protestuar, mirëpo së pari duhet të veprohet në Parlament, e pastaj të shihen alternative të tjera.

Opozita e ka të drejtën për të protestuar, po nuk e di a është e drejtë

“Nuk do të komentoj përmbajtjen e protestës, pasi që unë jam në rolin e një vëzhguesi këtu. Natyrisht që opozita duhet të veprojë së pari në parlament, të paraqesin mospajtimet e tyre, mirëpo natyrisht që ata kanë të drejtën për të protestuar, derisa është protestë ligjore dhe nuk ka përdorim të dhunës, nuk ka asgjë të keqe për tu protestuar… Nuk do të hyj në detaje, ka shumë tema për të cilat ata do të protestojnë… Është e drejta e tyre, por nuk e di a është e drejtë”, tha Bosch.

Sipas tij, gjëja më e rëndësishme për Kosovën është tani që të ketë sundim të ligjit nga cka më pastaj do të krijohej një ekonomi më e zhvilluar.

Sundimi i ligjit është primar për zhvillim të vendit tuaj

“Mendoj që gjëja më e rëndësishme për momentin për këtë vend është që qeveria të punojë për ekonominë, ta përmirësojë gjendjen dhe kjo lidhet me migrimin, me potencialin për ekstremizëm, sepse njerëzit janë të joshur përmes ekstremizmit, pasi që ata nuk shohin asnjë mundësi, dhe atyre ekstremizmi u jep arsye që të jenë atje. Nëse ke një punë të mirë, është arsye për të mos shkuar në këto punë, dhe sërish njerëzit nuk do të largohen kaq lehtë, kur shohin të ardhmen këtu. Dhe sërish një tjetër arsye për t’u theksuar, dhe mendoj që është gjëja më e rëndësishme, është se duhet të vihet theksi te sundimi i ligjit, sepse, nëse nuk kemi një sundim të mirë të ligjit , as ekonomia juaj nuk mund të funksionojë mirë. Kjo është gjëja më e rëndësishme për momentin për këtë shtet. Duke përmirësuar sundimin e ligjit ju po ashtu mund të përmirësoni ekonominë, ju mund të tërhiqni investitorë më shpejt dhe më lehtë, sidomos në fushën e bujqësisë. Të gjitha këto shkojnë së bashku, prandaj duhet të punohet në frymë të bashkëpunimit të mirë. Mendoni së pari për shtetin dhe pastaj për vetën. Kjo është ajo që ju duhet të bëni, e posaçërisht qeveria”, tha ambasadori holandez Bosch në intervistën për KosovaPress/. /A.Sahiti/

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.